E Shtunë, 31 Tetor 2026

Michell takon liderët e Izraelit

I dërguari i Presidentit amerikan Obama në Lindjen e Mesme Xhorxh Miçëll ka mbërritur në Jeruzalem, ku është takuar me liderët izraelitë, si pjesë e përpjekjeve të administratës së re të SHBA-së për një paqe të qëndrueshme në rajon. Të enjten Miçëll do të udhëtojë drejt Bregut Perëndimor, ku do të takojë Presidentin palestinez Mahmud Abas dhe kryeministrin Salam Fajad. Diplomatët perëndimore janë shprehur se nuk besojnë që Miçëll mund të takojë liderë të Hamasit. Barak Obama synon të bëjë shumë në përpjekjet diplomatike për Lindjen e Mesme dhe të martën deklaroi se ka ardhur koha që mes Izraelit dhe Palestinës të shtohen bisedimet për paqen. "Si kryeministri ashtu dhe unë diskutuam për cështjen kritike të konsolidimit të armëpushimit. Presidenti Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të bindura se është e drejta e Izraelit që të mbrohet, për sigurinë e tij. Presidenti gjithashtu është shprehur se SHBA-të do të mbështesin nismat për sigurimin e paqes dhe sigurisë të të dyja shteteve", tha Miçëll, pas takimit me kryeministrin izraelit Ehud Olmert. Miçëll, që ka ndihmuar edhe në zgjidhjen e konfliktit në Irlandën e Veriut, u emërua javën e kaluar si i dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme nga Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton. Turi diplomatik i Miçëllit do ta cojë atë në Izrael, Bregun Perëndimor, Jordani, Arabinë Saudite, Francë dhe Britani. Ai është shprehur se konkluzionet që do të arrijë do t'ia raportojë direkt Obamës dhe Klintonit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›