E Diel, 1 Nëntor 2026

Athina:Nuk presim rezultate për emrin me Maqedoninë

Athina zyrtare nuk pret shumë nga takimi i radhës me Shkupin për negociatat për kontestin greko-maqedonas për emrin.Kështu ka deklaruar zëdhenesi i Ministrise së Jashtme greke, Jorgos Kumucakos. "Atmosfera e krijuar nga veprimet dhe deklaratat provokuese të kryeministrit Gruevski krijojnë vlerësimin se në këtë takim nuk do të arrihet asgjë", ka theksuar Kumucakos. Sipas tij vendimi i qeverisë së Maqedonisë për të emëruar korridorin 10 "Aleksandri i Maqedonisë" është provokativ, jo serioz dhe kundër marrëveshjes së përkohshme. Nga ana tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme greke, Dora Bakojanis ka kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e emrit të Maqedonisë. Kryediplomatja ka shprehur impenjim për zgjidhjen e çështjes mes Athinës dhe Shkupit. Greqia kundërshton njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë me emrin kushtetues, ndërkohë që deri më tani janë bërë shpeshherë negociata në Nju Jork me mediatorin e OKB-së Metju Nimic, por pa arritur asnjë rezultat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›