E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midis pasionit dhe monomanisë

Për shumë lexues në të gjithë botën nuk besoj të jetë fashitur kujtimi i shkrimtarit të madh Laurence Sterne (1713 - 1768). Dhe, këtë
besim ma përforcon jo vetëm botimi ende në shumë gjuhë të botës i veprave të tij, por përmendja kudo apo marrja si pikë referimi e personazheve të këtyre veprave, sidomos e xha Tobiasit, kur i hipte i ndihmuar nga Trimi, kalit të tij të luftës. Ky rit përmbushte një gëzim të pamatë për xhaxhain e dashur të botës së fëmijëve dhe të të gjithë lexuesve më të rritur, të cilëve me kalimin e kohës, me njohjen e sa më shumë personave të karaktereve të ndryshme dhe, kështu, drejt pasurimit të përvojave jetësore, përherë e më tepër verifikojnë përmbajtjen e plotë të mendimit që kishte shprehur dikur Sterne: "Dëshira e madhe që ka njeriu për të folur mbi atë gjë që ia ka ënda, qëndron mu në mes të pasionit dhe monomanisë". Rasti ma ka sjellë që edhe unë të njihem me disa njerëz të tillë, ndërmjet të cilëve po përmend fillimisht koleksionistët. Koleksionistë të profileve të veçanta, si filatelistë, numismatë, ata të veshjeve popullore, të flamujve kombëtarë dhe shtetërorë, madje edhe të autobusëve, trenave, anijeve dhe avionëve të plot linjave në kohë dhe vende të ndryshme. Sapo nis bisedën, ata bëjnë si bëjnë dhe ta shpien fjalën tek ajo çka i kanë kushtuar gjithçka, ose pothuajse gjithçka të jetës së tyre, mbase edhe duke harruar që për të tjerët mund të bëhen të mërzitshëm. Edhe pse shumica më e madhe e tyre nuk janë narcizistë, megjithatë nuk i kuptojnë të tjerët si të tjerë, nuk e çmojnë në masën e duhur personalitetin e veçantë, apo ndryshueshmërinë e secilit prej këtyre individëve që njohin, por vetëm si vazhdimësi të vetes. Sepse u mungon, apo u është zvenitur aftësia që të ndjejnë atë që ndjejnë edhe të tjerët. Disa të tillë, ndonëse nuk janë autistë dhe as mizantropë, duke i fshehur dhe ruajtur me fanatizëm gjithë çfarë kanë mundur të mbledhin, nuk e çojnë nëpër mend që një ditë grumbulli i sendeve që ata me shumë mundime, trazime, dyzime, fërgëllitje etj, etj, i kanë bashkuar dhe bërë njësh me veten, një ditë do të bëhej shumë i vyer dhe do t'i mbushte vizitorët apo qëmtuesit e tij me pasuri shpirtërore të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, psikanalistë të njohur e kanë shpjeguar gjendjen e tyre me faktin, se shkrirja eksplozive me atë që duan përbën përvojë që ata e përjetojnë si ekstazë: "Jemi një me atë që duam, s'ka më vetmi!". Shumica e këtyre koleksionistëve, apo edhe e autorëve që kanë lënë vepra të shumëllojshme, fatkeqësisht nuk rrojnë më. Por, për shumë e shumë vjet ata lëshojnë hijen mbi dhe, që nuk mund të ngjajnë me qetësinë e varreve dhe me gjuhën e epitafeve; herë - herë ajo "hije" u mëson njerëzve disa të vërteta universale dhe kuptimin e mirëfilltë të jetës së tyre, pavarësisht zhvillimit dhe transformimit të pandërprerë të saj. Ndërsa figura të tjera e shprehin, ndonëse pa bujë, edhe më shumë, më haptaz, me efekte pozitive edhe më të mëdha e më të gjera qëndrimin e tyre midis pasionit dhe monomanisë. Motivet e këtij qëndrimi pas dhimbjes së pamenduar janë të shumta, por në të shumë raste ekziston një pikë e përbashkët: përkushtimi ndaj të tjerëve. "Unë bëj gjithçka që është në mundësinë time për të ndihmuar" - thonë ata, - "asnjëherë nuk më ka ndodhur që kur zgjohem të mos më shkojë mendja te të pamundurit, të vobektët". Pra, ata janë në gjendje ta ndjejnë dhe ta kuptojnë, se pjesëmarrja e vet është e pashmangshme. Dhe kjo gjithçka, kjo pashmangshmëri, shpesh përmbledh vetësakrifikimin nga haretë e vogla të jetës dhe kënaqësitë e momentit. Shembulli më ilustrues është, pa dyshim, Gonxhe Bojaxhi, e cila edhe pas vdekjes ka lënë përkushtimin më të madh ndaj njerëzve më në nevojë, nëpërmjet kujtimit dhe motrave të misionit të saj. Të atyre motrave, të cilat tashmë e kanë skalitur në shpirt, se vetësakrifikimi në ndihmë të njerëzve në nevojë është humanizëm. Të atyre motrave, të cilat e kishin dëgjuar me veshët e tyre dhe e kujtojnë Madre Terzën, se çfarë i kishte thënë kjo dikur një turisti të huaj, kur ai e pa se si Motra e madhe mjekonte në mes pluhurit të periferive të Kalkutës fëmijë leprozë kockë e lëkurë. "Këtë unë nuk do ta bëja as për 1 milion dollarë!" iu drejtua i huaji. "As unë!" - ishte përgjigja. Një përgjigje si shtysë, që nxit mendjet e qarta për të përbuzur hargalisjet dhe ekstravagancat. Një përgjigje që e shpuri të sigurt shqiptaren e famshme në rrugën nga pjekuria te lumturimi dhe në një të ardhme të afërt te shenjtëria, në atë rrugë ku rrugicat e shkurtra dhe të shpejta nuk ekzistojnë. Një përgjigje, për të cilën ekspertë të kualifikuar i janë referuar jetës së përditshme, ku asnjëherë nuk duhet lënë pas dore zhvillimi shpirtëror i individit në favor të të tjerëve. Ashtu sikurse nuk mund t'i mësojmë fëmijët tanë me disiplinë, nëse nuk i nënshtrohemi vetë asaj. Ky përkufizim unitar nënkupton, njëherazi, se të duash njerëzit do të thotë të duash vetveten. T'i përkushtohesh një detyre të tillë qytetare, do të thotë që të luftosh për ngritjen tënde personale dhe për ngritjen në këmbë të të tjerëve. Mësime të tilla të dhëna, apo të përçuara në mënyrën më konkrete, edhe shoqëria shqiptare ka trashëguar nga mjekë të mrekullueshëm, të studiuar jashtë apo brenda vendit, që për dekada të tëra pas Luftës II Botërore luftuan dhe zhdukën në Shqipëri tuberkulozin, sëmundjet veneriane dhe epidemi të tjera të rrezikshme për jetën e gjithë popullsisë. Madje, një dermatolog i njohur futej edhe vetë në një kamp të Dumresë, i rrethuar nga forca ushtarake dhe ku ushqimet e ilaçet hidheshin me helikopter, për të vizituar dhe mjekuar të prekurit nga sëmundja e tmerrshme e leprës. Të gjitha këto veprime të admirueshme të atyre mjekëve, ndonëse me vetësakrifikim, nuk mund të mos qenë në atë Shqipëri të varfër edhe një ndihmë e përkushtim ndaj vetes, ndaj familjeve, fëmijëve të afërmve dhe shoqërisë së tyre, për një jetesë dhe të ardhme më cilësore. Mirëpo, në shqyrtimin e mëtejshëm të kësaj teme është zbuluar, se jo gjithmonë dashuria ndaj vetvetes dhe ajo ndaj të tjerëve shkojnë dorë pas dore, apo janë të pafundme. Për të mos shkuar më thellë, mjafton të vështrojmë dhe të dëgjojmë kryeministrin tonë ende në detyrë, që e bën gjithashtu konkret kuptimin e citimit në fillim të këtyre radhëve. Prej kohësh ky kryeministër, si askush tjetër i ka hipur kalit të luftës. Por i ka hipur mbrapsht, me ndihmën e ca "Trimave" të tij. Në këtë pozicion dhe me emërtimin që i ka vënë vetes - kavalier, ai shfaqet çdo ditë për minuta dhe orë të tëra në ekranet televizive, duke folur e folur mbi atë gjë që ia ka ënda. Pra, për të mbajtur pushtetin personal, duke shtyrë njerëzit drejt greminave të kësaj jete, si të verbërit dhe paraplegjikët në këtë shoqëri, që u mohohet edhe buka e gojës. Midis këtij pasioni dhe monomanie, sigurisht që dallohet edhe përkushtimi i tij, por në sensin e kundërt të atyre që përmendëm më lart. Dallohet përkushtimi, për ta mbajtur pafundësisht vendin në krye të të tjerëve, me qip e me thonj, me mashtrime dhe vrasje, me grabitje dhe manipulime, duke pasuruar njëherazi klanin rreth vetes dhe varfëruar gjithnjë e më tepër popullin e tij. Në këtë tablo të errët, edhe ligji duket i shtrembëruar dhe, bashkë me të, edhe forca policore e shtetit, që detyrohet të ndjekë tjetër qëllim nga synimi i duhur. Megjithëse... gjithkush paskësh besuar se ka të drejtën natyrore të mbrojë personalitetin, lirinë dhe pronën e vet. Por, s'ka gjë, le ta gënjejë mendja! Sidoqoftë, për minuta e orë të tëra në ekranet televizive vazhdon të shfaqet ai, kryeministri, duke folur e folur mbi atë që ia ka ënda. Mbi atë, se si nën udhëheqjen e tij dhe vetëm të tij, vendi ynë u konsiderokërka si vend i zhvilluar. Madje, paskësh ritme të rritjes ekonomike më të shpejta se sa ato të përparuarve. Po, po, kush s'i beson këto që thotë ai, veten vraftë! Po, po, veten vraftë, përpara se përfundimisht ta vrasë ai me "reformat" e thella që deklamon, të cilat do të bëkërkan të mundur që në 4 vitet e ardhshme t'u hiqen shqiptarëve edhe vizat për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po, po, ai që nuk e beson edhe këtë ëndërr, le t'i ngrysë ditët me zhgjëndër! Ndonëse, ndonëse... siç thoshte Laurence Sterne: "Njeriu duhet të dijë diçka për vendin e tij, përpara se të vizitojë një vend të huaj".
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›