E Shtunë, 31 Tetor 2026

Migen Memelli: “Suedia ime është Tirana”

Golin e fundit në futbollin shqiptar e kishte e shënuar në fund të vitit 2005, kundër Vllaznisë. Që nga ajo kohë, Migen Memelli është endur të bëhet pjesë e rëndësishme e skuadrave Bran dhe Gaiss në futbollin nordik dhe, pavarësisht se ndoshta asnjëherë nuk u kthye në lider, një eksperiencë e tillë e ndihmoi që të nënshkruante një kontratë "milionerësh" me Tiranën. "Këtu presioni është shumë i madh, të gjithë duan nga ne të fitojmë" thotë sulmuesi.
...
Tre pikët e para me gol...?
"Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Në kampionatin shqiptar gjërat kanë ndryshuar. Niveli i skuadrave është afruar dhe futbolli është kthyer vërtet në një lojë. Po konstatoj me kënaqësi se tani luhet njësoj si në vendet tjera. Mund të fitohet lehtë jashtë fushës tënde, por nuk mungojnë as cudirat" rrëfehet Memelli. "Në këtë kontekst, mendoj se të shënuarit e vetëm një goli në Durrës nuk është pak. Ne pjesën e kemi interpretuar gjithcka shumë mirë. Kemi bërë presion të jashtëzakonshëm dhe shfrytëzuam goditjet standarde, duke luajtur në parametrat që do trajneri. Në pjesën e dytë ramë pak, megjithatë, edhe kundërshtari u bë më aktiv. Në fund, të gjithë ia dedikuam fitoren tifozit tonë, që vdiq atë paradite.
Si është raporti profesional me Xhafajn në sulm?
-Ndokush mendon që jemi dy sulmues "pyka" dhe nuk mund të ecim, megjithatë ne nuk e shohim kështu. Secili bën punën dhe jemi marrë vesh mirë në fazën përgatitore. Sigurisht, me ardhjen e Muzakës do furnizohemi më shumë. Nëse cdokush bën punën, atëherë vjen edhe suksesi. Ne paguhemi si milionerë dhe duhet patjetër që këtë ta reflektojmë edhe në fushën e lojës. Na kërkohet titulli dhe, nëse nuk e arrijmë, është një dështim. Megjithatë, të gjithë duhet të presin pak, sepse jemi një skuadër e re, që do të përmirësohet me kalimin e kohës.
Jeni penduar që u kthyet në Shqipëri?
-Përderisa ka qenë një zgjedhje personale, jo. Është një eksperiencë shumë interesante, si nga ana profesionale ashtu edhe financiare. Me Tiranën do të qëndroj për 18 muaj dhe më pas gjithcka mund të ndodhë. fillimi është entuziast, klubi funksionon sipas parametrave të duhur. Praktikisht, këtu gjeta Suedinë time.
Pas dy javësh, është derbi i parë i karrierës?
-Po, është hera e parë që luaj me një skuadër kryeqyteti. Këta që janë me Tiranën, prej kohësh më thonë që tifozët duan gjithcka atë ditë, sidomos pasi kanë humbur 1-4 edicionin e shkuar. Sigurisht, edhe unë dua kështu, megjithatë në një ndeshje futbolli mund të ndodhin të gjitha. Pashë Celsin në mesditë, që nuk mundi dot Totenhemin në derbi.
Kombëtarja, gjithnjë afër dhe gjithnjë larg?
-Po, sepse gjithnjë jam thirrur në grumbullime dhe, kur kam menduar që mund të luaj ndeshje të vërteta, askush nuk më ka grumbulluar. Nuk më takon mua të diskutoj për përfaqësuesen, pasi nuk kam asnjë ndikim në vendimmarrje. Është një cështje që i përket trajnerit. Sa herë që do të thërritem, do t'i përgjigjem me seriozitet ftesës. Për mua, primare është Tirana. Është klubi ku paguhem, madje shumë mirë, dhe pres edhe nga vetja t'i shtoj kënaqësitë si bardheblu.
Si është Tirana jashtë fushe?
-Nuk e kam problem ambientimin, si në Shqipëri dhe jashtë, pasi kam luajtur në disa vende. Për më tepër që këtu, në Tiranë, kam edhe miqtë e mi, Osmanin, Devollin dhe Daniel Xhafajn. Ia kalojmë mirë dhe fatmirësisht jemi të gjithë në një skuadër.
A ka Memelli bast personal me golat?
-Unë jam i bindur që puna e një sulmuesi shtalartë, si unë, nuk varet vetëm nga golat. Nëse unë kryej volumin e duhur të punës dhe nëse shërbej mirë edhe për pjesën tjetër të skuadrës, atëherë duhet të jem i nevojshëm dhe golat ndoshta nuk janë kaq të rëndësishëm. Unë dua të shënoj sa më shumë, por për Tiranën kampione nuk e konsideroj primar golin.
Marre nga "Sport Ekspres"
Intervistoi: Gjergji Stefa

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›