Xhemaili te Torino, Hamburgu “luftë” me Boltonin

RESHAT IBRAHIMI
Shkup, 1 shtator – Largimi i shumëpritur i Blerim Xhemailit nga Boltoni, pas mosaktivizimit të mjaftueshëm kishte bërë jehonë në futbollin anglez, italian dhe gjerman. Tri klube, nga Ligat më të mira të këtyre vendeve ishin në garë për ta mbajtur mesfushorin shqiptar, por në fund FC Torino nga Seria A ishte ekipi që përfitoi më shumë. Në një bisedë për "Lajm", babai i Blerimit, Fekredin Xhemaili tregon detajet nga rrugë deri te marrëveshja. "Ka qenë një luftë e ashpër mes drejtuesve të Hamburgut dhe atyre të Boltonit. Trajneri i Hamburgut, kishte kërkuar që Xhemaili të vijë në Gjermani, ndërsa Boltoni këmbëngulte që ai të qëndrojë në Angli. Për këtë arsye, Hamburgu kishe bërë ofertë prej 3 milionë eurove. Është zhvilluar një debat i ashpër mes dy drejtorëve të klubeve", thotë fillimisht Xhemaili. Ai sqaron se dëshira e vetë futbollistit ishte të zgjidhte Hamburgun. "Blerimi dëshironte të shkojë në Gjermani te Hamburgu, por nëse thoshte se nuk do të shkoj në Torino, atëherë mbetej te Boltoni. Për këtë arsye ai vendosi që më mirë të shkojë në Itali, se sa sërish të mbetet në Angli".
Problemi kryesor i Blerimit te Boltoni ka qenë, trajneri Gary Megson. "Ai, trajneri i Boltonit e kishte marrë inat Blerimin dhe kurrsesi nuk pranonte që Blerimi të luaj. Fillimisht thoshte le të shkoje në Itali, pas dy orëve e ndryshonte mendimin. Kjo lojë, na ka lodhur shumë", përfundoi Fekredin Xhemaili.
Ndryshe, Blerim Xhemaili është huazuar nga Bolton Wanderers për një vit te FC Torino e Italisë, me mundësi vazhdimi të kontratës edhe për tre vite të ardhshme.
Xhemaili prezantohet me fanellën e re
Blerim Xhemaili pas kontrollit mjekësor të ditës së hënë ka bërë edhe prezantimin e tij të parë para medieve. "Ndjehem i lumtur që kam ardhur në këtë klub të madh. Besoj se do të kem fat të shënoj sa më shumë gola dhe skuadra të realizojë ambiciet. Te Boltoni nuk mu dha mundësia, por këtu do të dëshmoj aftësitë e mia", tha Blerim Xhemaili për "Lajm".