Migjen Basha: Barazimi sna e ndal hovin
Nuk jam Lala, por bëj maksimumin. Të besojmë më shumë se kurrë
Për Migjen Bashën, Brazili nuk është shumë larg. Mesfushori i kombëtares shqiptare që u përshtat shumë mirë në ekipin kuqezi mendon se ky ekip mund të shkojë shumë larg. Gjatë intervistës për Gazeta e Sportit mesfushori ka thënë se barazimi ndaj Norvegjisë nuk është fundi i botës sepse ky ekip ka vlera të jashtëzakonshme që i tregon nga ndeshja në ndeshje. Në ekipin kombëtar përveç tij është edhe vëllai i tij, Vullneti.
Migjeni ka treguar raportin e bukur dhe të vështirë me të në kombëtare. Krahasimi me Lalën i pëlqen shumë por, sipas tij nuk duhet të jetë kështu sepse Lala ka zhvilluar një karrierë të shkëlqyer ndërsa ai ka vetëm tri ndeshje me fanellën kuqezi. Basha ka treguar gjithashtu se po mendohet për të ardhmen dhe nuk e di me siguri nëse do të qëndrojë apo jo tek Torino.
Si e sheh Migjen Basha barazimin që morëm ndaj Novegjisë?
Nga njëra anë barazimi është pozitiv sepse arritëm të ruajmë vendin e dytë, por nga ana tjetër edhe humbja e dy pikëve është e rëndë sepse mund të kishim lënë shumë prapa Norvegjinë. Megjithatë jam i lumtur për lojën që zhvilloi skuadra dhe po tregojmë rritje.
Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por në të dytën lëshuam pak. Pse ndodhi kjo?
Po është shumë e vërtetë. Në pjesën e parë luajtëm shkëlqyer dhe patëm kondicion fizik shumë të mirë. Në pjesën e dytë ramë pak fizikisht dhe kjo ndodhi sepse të gjithë ne kemi përfunduar sezonin në ekipet tona dhe kjo u pa qartazi. U lodhëm shumë dhe prandaj pësuam gol.
Pas këtij barazimi jemi në vendin e dytë. Edhe për sa kohë do të qëndrojmë aty, duhet të besojmë se mund të shkojmë në Brazil?
Ëndrra duhet të vazhdojë. Tani duhet të besojmë më shumë se herët e tjera. Jemi në vendin e dytë dhe nuk duhet ta lëshojmë atë. Kemi një ekip shumë të mirë që po tregon vlerat e tij nga njëra ndeshje në tjetrën.
Mister De Biazi tha për gazetën tonë që në ndeshjet e radhës duhet të bëjmë atë që bëmë në Oslo… Kaq e lehtë është?
Sigurisht që çdo ekip e luan ndeshjen vetëm për fitore. Do të shkojmë në Slloveni për të fituar, por duhet të bëjmë kujdes që të mos humbim sepse një humbje do të na i ndërlikonte shumë situatën në grup.
Çfarë ju tha De Biazi pas ndeshjes?
U dëshpëruam shumë pas ndeshjes sepse meritonim më shumë dhe ishim të trishtuar. Kur u fut De Biazi në dhomat e zhveshjes na tha se duhet të mbanim kokën lart sepse zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë dhe pozitive.
Për pak arritët të realizonit një tjetër skemë të çmendur, por nuk ia dolët. Sa herë e provuat në stërvitje?
De Biazi kërkon dhe na ka mësuar shumë skema. Kemi bërë shumë prova në stërvitje aq sa për pak arritëm ta realizonim edhe gjatë ndeshjes. Vetëm për pak na mungoi preçizioni. Nëse do kishte ndodhur si në Oslo do isha shumë i lumtur.
Si është të luash në Qemal Stafa kur ai është plot e përplot?
Më ka ndodhur dy herë gjatë këtij sezoni në Derbin e Torinos kundër Juventusit që stadiumi ka qenë plot, por në Qemal Stafa është shumë ndryshe. Emocioni është i madh dhe ngjyrat kuq e zi ta shtojnë akoma më shumë dëshirën për të luajtur futboll. Na kamë motivuar gjatë gjithë kohës dhe i falënderoj shumë ata.
Çfarë ndjenje është kur ke vëllanë në një ekip. Ai është një nga rivalët tuaj për fanellën tani…
Është sa bukur aq edhe e vështirë. E këshillon, e mëson dhe i tregon gjëra që duhet të bëjë. Unë bëj të njëjtën gjë që bën dhe ai me mua. E vështira qëndron në faktin e asaj që ju thatë më sipër dhe në stërvitje. Ashtu siç duhet të bësh kujdes për të gjithë lojtarët e tjerë duhet të kujdesesh veçanërisht për të… sepse mund të dëmtosh vëllanë dhe kjo nuk është aspak e mirë.
Çfarë ju tha Vullneti pas ndeshjes?
Më dha komplimentet mua dhe të gjithë ekipit për ndeshjen shumë pozitive që zhvilluam.
Në grupin tonë ka tre ekipe që në përbërjen e tyre ka shqiptarë. Shqipëria fillimisht, Zvicra dhe pastaj Norvegjia… Kush do të shkojë në Brazil?
Shpresoj shumë që të shkojnë shqiptarët kuqezi të ekipit tonë kombëtar. Tani për momentin klasifikimi e tregon qartë. Në Brazil janë shqiptarët e Zvicrës dhe ekipi ynë në vendin e dytë. Shpresoj që të përfundojë kështu.
Një Altin Lala i dha lamtumirën futbollit, ndërsa një tjetër ishte në fushën e lojës. E kam fjalën për ju, si ndihemi kur bëjnë këtë krahasim?
Ndihem shumë mirë sepse Altin Lala ka bërë një karrierë të shkëlqyer me kombëtaren ndërsa unë kam vetëm tre ndeshje. Mendoj se ky krahasim nuk duhet bërë, edhe pse ndihem shumë mirë kur thonë kështu.
Në tre ndeshje me kombëtaren keni shënuar një gol. E prisnit këtë fillim të mbarë?
Me thënë të drejtën nuk e mendoja një nisje të tillë. Goli kundër Lituanisë ishte rastësi dhe u habita kur pash që topi u ndal në rrjetë. Në atë moment nuk po dija si të festoja.
Tifozët e kombëtares nuk u ndalën gjatë 90 minutave të lojës…
Nuk kam fjalë për ta. Janë tifozë të mrekullueshëm dhe i falënderoj për të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë. Janë të mrekullueshëm. Duhet të fitojmë edhe për ta.
Ku do ti kalojë Migjeni pushimet?
Tani për momentin jam në Kosovë tek familja ime. Do të kaloj disa ditë këtu, pastaj do të shkoj në Zvicër. Në fund do të kaloj disa ditë në Francë.
Flasim pak për Torinon. Kaluat momente vërtet të mira aty sidomos në fund të sezonit ku u aktivizuat shumë. Do të qëndroni apo jo tek ky ekip?
Nuk e di me siguri nëse do të qëndrojë apo jo sepse çështja është pak sa e ndërlikuar. Kartonin tim e kanë në zotërim dy ekipe dhe ato të dy po bisedojnë për të ardhmen time. Kam disa biseda të vogla me klubet, por akoma asgjë serioze.
