E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mihajloviç ka recetën anti-Inter

“Interit i uroj të fitojë kampionatin, por sot dua të fitoj unë”. Këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Fiorentinës, Sinisa Mihajlloviç në prag të ndeshjes që skuadra e tij do të luajë sot kundër Interit, ish-skuadra e tij në fillim si lojtar e më pas si ndihmëstrajner i Roberto Mancnit. “Të mundim Interin?
Besoj se sot është më e lehtë të realizohet një gjë e tillë në krahasim me vitin e kaluar kur drejtoja Catanian për dy arsye. E para sepse Fiorentina është më e fortë se Catania dhe e dyta sepse vitin e kaluar Interi nuk kishte asnjë mungesë, ndërsa sot ka disa lojtarë të dëmtuar.
E them sinqerisht, edhe kundër interesave të mia. Ajo kundër zikaltërve është një ndeshje shumë e rëndësishme sepse një fitore e mundshme përballë një ekipi të madh i bën mirë moralit të skuadrës dhe i jep vazhdimësi rezultatateve pozitive. Do të ishte bukur të fitonim.
Shpresoj ta përgatis takimin në mënyrën e duhur, duke lënë jashtë emocionet që do të provoj. Jam i përqendruar dhe i qetë, shpresoj të jenë edhe lojtarët”, ka thënë Mihajlloviç që ka analizuar ndeshjen e Interit në Torino kundër Juves. “Në transfertë kanë humbur dy ndeshje, por çdo ndeshje është një histori më vete.
"Një ekip si Interi i ka të gjitha mundësitë për të fituar titullin dhe kjo rrugë për ta kalon nga Firence. Nëse nuk do të fitonin këtu atëherë gjithçka do të bëhej më e vështirë për ta. Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për të fituar, të vetëdijshëm për vështirësitë”. Mihajlloviç është i bindur se skuadra e tij duhet të përmirësohet në mbrojtje.
“E njoh mirë Interin dhe lojtarët që ka. Kam studiuar disa mënyra për të bllokuar mbi të gjithë tre sulmuesit. Sneijder, Eto `o dhe Pazzini janë shumë të rrezikshëm. Duhet të vazhdojmë rrugën që kemi nisur kundër Palermos duke qenë pak më të kujdesshëm në mbrojtje. Kundër Palermos kemi bërë shumë gjëra të mira, por edhe gabime që duhen korrigjuar”, ka thënë Mihajlloviç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›