Mihal Delijorgji: Një predhë më goditi makinën, më 15 mars në Gërdec
Tiranë- Mihal Delijorgji u shfaq për herë të parë në sallën e gjyqit, tre vjet pas tragjedisë së Gërdecit, për të dhënë dëshminë e tij mbi biznesin e predhave, që u mori jetën 26 njerëzve. I kujdesshëm e lakonik në përgjigjet e tij, ish-presidenti i ‘Albademil’ iu përgjigj pyetjeve të gjykatës, sesi lindi fabrika e Gërdecit, rrethanat e njohjes me amerikanin Henry dhe marrëdhëniet me zyrtarët e shtetit shqiptar. Ai rrëfeu për herë të parë edhe 15 marsin 2008, duke thënë se 200 metra larg fabrikës së Gërdecit, një predhë goditi makinën e tij. “Falë Zotit, shpëtuam gjallë”- tha Delijorgji, duke shpjeguar më pas vetëm detajet teknike të një biznesi që nuk rezultoi të qe vetëm i tillë.
A e njihni Patric Henry-n?
Po, e njoh.
Në çfarë rrethanash jeni takuar me të?
Jemi takuar në zyrat e MEICO-s, në vitin 2007, kur unë kisha shkuar për kontratën e parë të skrapit.
Kujt i lindi ideja për të bashkëpunuar?
Patric Henry-t.
Mesa dini ju, a kishte licencë kompania SAC për këtë aktivitet dhe ia keni kërkuar ju këtë licencë Henry-t?
Mesa di unë, Patric Henry kishte një kompani tjetër në Karolinën e Veriut dhe nuk besoj se do të punonte dot në ShBA pa një licencë. Unë nuk ia kam kërkuar licencën.
A e keni parë procesin e demontimit në Gërdec?
S’më ka interesuar.
Si bëhej pagesa për municionet?
Për këtë pyetje do përgjigjem kur të jem në cilësinë e administratorit të “Alba-Demil”.
E njihni Sokol Ngjeçin dhe në çfarë rrethanash?
Po, e njoh. E kam takuar për herë të parë në vitin 2002, kur kam qenë duke punuar me kontratën e parë të skrapit dhe unë isha administrator i shoqërisë “Përparimi”. E njoh vetëm në marrëdhënie pune.
E keni takuar në vitin 2007?
Po, sepse bashkë me projektin e SAC vazhdonte dhe projekti i skrapit me shoqërinë “Përparimi”.
Po Luan Hoxhën, e njihni?
Po, e kam takuar, kur kam qenë administrator i shoqërisë “Përparimi” dhe më lidhte puna me të për shkak të problemeve që kisha me kontratën e skrapit.
Në vitet 2007-2008, jeni takuar më të?
Po, pasi paralelisht vazhdonte dhe projekti i skrapit.
Po Shpëtim Spahiun, e njihni?
E kam takuar vetëm 1 herë. S’e kam njohur më përpara. E kam takuar në zyrën e tij, kur kam shkuar për të firmosur kontratën e sipërfaqes që do merrnim në Gërdec.
Për Patric Henry-n thatë që e keni takuar në zyrat e MEICO-s. Në cilën prej zyrave jeni takuar?
Kanë kaluar 4 vjet dhe nuk më kujtohet.
Kur e keni takuar, ju ka thënë për çfarë arsyesh ndodhej aty?
Jo. As e pyeta.
Po ju, pse ishit?
Sepse kisha kontratën e skrapit dhe kisha shumë probleme.
Po Dritan Minxolli, pse ishte me ju?
Më shoqëronte, pasi kemi bërë shumë punë bashkë dhe kur u takuam me Henry-n ai më shërbeu si përkthyes.
A ju njihte Patric Henry?
U njohëm rastësisht atje dhe u prezantuam. Nuk e di nëse më njihte më përpara si person fizik apo si shoqëri.
A biseduat me Patric Henry-n në lidhje me rrugët që do të ndiqte kompania SAC për të fituar të drejtën?
Ishte diçka që po negocionte prej gati 1 viti i gjysmë dhe ishte diçka që nuk më takonte mua. Unë isha jashtë marrëdhënieve SAC-shtet shqiptar.
A ju tha nëse ishte lidhur apo jo marrëveshja?
E vetmja gjë që më tha është se kishte 1 vit e gjysmë që po negocionte dhe unë s’e pyeta më gjatë. Kishte një problem teknik, pasi fishekët kinezë, qofshin këta edhe për skrap, nuk lejoheshin në Amerikë.
A ju ka kërkuar ndihmë për përfundimin e marrëveshjes?
Jo.
A e kujtoni nëse marrëveshja SAC-shtet u krye përpara pas krijimit të shoqërisë “Alba-Demil”?
Për këtë pyetje do përgjigjem, kur të jem në cilësinë e administratorit të “Alba-Demil”.
A mund të na thoni pse ratë dakord për krijimin e “Alba-Demil”?
Në momentin që u njohëm, më tha që ishte negociuar dhe thamë, kur ramë dakord në parim, menduam të krijonim shoqërinë me 100 mijë lekë kapital.
A ju ka thënë Patric Henry që ka biseduar me shoqëri tjetër?
Jo.
A është biseduar mes jush sesi do të ecnit me fitimin, përpara se shoqëria të krijohej?
Vetëm në momentin e themelimit të shoqërisë.
Ku ishte kontributi juaj në këtë shoqëri?
Kontributi im kishte të bënte me financimin e infrastrukturës, ndërsa ai do të sillte makineritë, specialistët. Pra, kishte anën teknike.
A ju tha Patric Henry pse nuk mund ta realizonte vetë këtë investim?
Sepse nuk kishte mundësi financiare.
Makineritë që do vinin ishin të reja apo të përdorura?
Përveç atyre që kishte në zotërim, mund të merrte me qira dhe makineri nga kompani të tjera, të cilat do t’i ktheheshin pas përfundimit të punës.
Cila ishte arsyeja që kuotat tuaja u ndanë 67% ju dhe 33% Henry?
Sepse mënyra e financimit ishte e tillë.
A mund të na thoni pse kontributi juaj u vlerësua sa dyfishi i kontributit të Patric Henry-t?
Sepse unë do të financoja infrastrukturën dhe, kur të sillte mallin, unë do t’i jepja lekët që të paguante MEICO-n.
Po në kontratën e dytë, cili ishte roli i Henry-t?
Për këtë pyetje do përgjigjem kur të jem në cilësinë e administratorit të “Alba-Demil”.
Si jeni informuar për ngjarjen e ndodhur në datë 15.03.2008?
Ndodhesha te kompania tjetër dhe më ka marrë në telefon drejtori Dritan Minxolli dhe më tha që ka plasur zjarri. U nisa menjëherë për atje, bashkë me shoferin. U afruam deri 200 metra larg dhe pastaj një predhë na goditi makinën dhe falë Zotit jemi ende gjallë.
Çfarë veprimi kryet më pas? A folët në telefon me subjekte private apo shtetërore?
Me private mund të kem folur, ndërsa me shtetërore jo.
Kush i foli i pari Patric Henry-t?
S’e mbaj mend.
Çfarë kishte veshur kur u takuat?
Kominoshe.
Sa zgjati biseda?
S’e mbaj mend.
Kur ratë dakord për bashkëpunimin?
Kur krijuam shoqërinë.
Cili ishte qëllimi i marrëdhënies suaj?
Qëllimi i fitimit, punësimit të njerëzve dhe pagimit të taksave në arkën e shtetit.
A fituat?
Jo, humba.
Po Patric Henry?
Ai mund të ketë dalë me fitim.
A e keni takuar Sokol Ngjeçin në Gërdec?
Sokol Ngjeçi nuk ishte i punësuar në Gërdec. Ai ishte përfaqësues i MEICO-s dhe detyra e tij ishte të përzgjidhte mallin, nëse ishte tunxh apo çelik. E kam takuar njëherë në fabrikë dhe ishte duke folur me Dritan Minxollin. U përshëndetëm dhe kaq.
Në lidhje me demontimin e predhave, kujt i lindi ideja?
S’kisha lidhje me shtetin shqiptar, e kishte vetëm SAC dhe përgjegjësitë e tjera i kishte SAC, prandaj unë nuk di gjë.
A ishit në Gërdec në dhjetor 2007, kur Sokol Ngjeçi bashkë me persona të tjerë eksperimentuan demontimin e predhave 100 mm?
Për këtë pyetje do përgjigjem kur të jem në cilësinë e administratorit të “Alba-Demil”.
Me Ylli Pinarin çfarë marrëdhëniesh keni?
E kam njohur që në vitin 2002, kur kisha kontratën e skrapit.
Referuar tabulateve telefonike, rezulton se në vitet 2006-2007 keni pasur kontakte të përditshme me Ylli Pinarin. Pse ka ndodhur kjo gjë?
Edhe përpara kësaj periudhe, kemi pasur kontakte të shpeshta për shkakun që e thashë dhe më lart, që kisha probleme të shumta, përsa i përket zbatimit të kontratës së skrapit dhe komunikoja me të.
Sa ishte investimi juaj?
Nuk kam bërë asnjë investim si Mihal Delijorgji, por si kompani.