Tejkalimi i afateve, avokatët e Metës: Hetimi, i paligjshëm
Tiranë- Avokatët e Ilir Metës kërkuan dje nga Gjykata e Lartë të shpallë të pavlefshëm hetimin e Prokurorisë së Përgjithshme për videon e regjistruar nga Dritan Prifti. Për më shumë se 1 orë, avokatët Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja kanë lexuar argumentet ligjore, që sipas tyre e bëjnë të pavlefshëm hetimin e organit qendror të akuzës. Strategjia e avokatëve të Metës është bazuar në 4 argumente kryesore, të cilat nxjerrin në pah të meta të procedurës së ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme, e me anën e të cilave kërkohet pushim i gjykimit për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Pretendimi kryesor është se Meta është hetuar në kushtet e imunitetit parlamentar, që Kushtetuta e vendit u njeh deputetëve. “Çdo deklaratë personale, qoftë edhe publike e shtetasit Ilir Meta për heqjen dorë nga imuniteti, procedurialisht ka qenë pa vlerë për organin e akuzës, pasi ligji përcakton qartë kushtet dhe mënyrën e heqjes së imunitetit të një deputeti dhe, në çdo rast, për fillimin dhe vazhdimin e hetimeve, organi i akuzës duhej të vepronte në përputhje me parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës dhe neneve 288 e vijues të Kodit të Procedurës Penale”, - thanë avokatët e Metës, të cilët shtuan se mungesa e autorizimit të nevojshëm për ndjekjen penale është një fakt tjetër që provon se organi i akuzës ka vepruar në mënyrë abuzive. Argumenti i dytë, i paraqitur nga pala mbrojtëse, ka qenë tejkalimi i afatit tremujor të hetimit, nga ana e organit të akuzës, që, sipas avokatëve të Metës, ka kryer hetime edhe pas këtij afati. Në lidhje me tejkalimin e afateve të hetimit, pala mbrojtëse u shpreh se prokuroria nuk mund të pretendojë se dita e fillimit te hetimeve ndaj deputetit Meta është data kur emri i tij përmendet në dosje si i dyshuar, por data e fillimit të çështjes në tërësi apo dhe data kur deputeti Dritan Prifti ka dhënë deklarimet e tij, para prokurorëve. Argumenti i tretë, i paraqitur në seancën e djeshme gjyqësore para Gjykatës së Lartë, ishte pavlefshmëria dhe paligjshmëria e të gjithë procedurës së akt-ekspertimit të videos nga ekspertët e huaj. Avokatët Serjani dhe Veleshnja kanë theksuar se akt-ekspertimet janë kryer në një ekstra-procedurë, në kundërshtim me ligjin. “Ky ekspertim, jo vetëm nuk është kryer sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe Konventën Europiane për Ndihmë Juridike në Fushën Penale, por është kryer nga një ekspert privat në Angli, gjë që vjen në kundërshtim me çdo parashikim ligjor dhe ka cenuar çdo garanci të të pandehurit gjatë hetimeve paraprake. Duke dezinformuar në këtë rast, përfaqësuesi i akuzës me vetëdije ka krijuar vështirësi për përmbushjen e të drejtave që duhet të gëzojë i pandehuri në një proces të rregullt ligjor”,- u shprehën avokatët. Kërkesa e katërt, e cila konsiderohet si më e rëndësishmja nga avokatët e Ilir Metës, është ajo e pavlefshmërisë së video-përgjimit. Avokatët kanë kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së provës, duke shtuar se videoja e administruar nuk është ekstrakt origjinal, i marrë nga kamera që e ka xhiruar, por është siguruar si kopje e origjinalit dhe është marrë nga laptopi i deputetit Dritan Prifti. Në kërkesën e tyre, avokatët e Metës i kanë bërë me dije gjykatës se ora-regjistruese, e dorëzuar nga Prifti në prokurori, nuk është origjinale, pasi nuk është gjetur asnjë gjurmë e videos në të. Pas fjalës së mbrojtjes, trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë u tërhoq për marrjen e vendimit, duke caktuar si datë për të 27 qershorin, kur edhe pritet të vendoset fati i çështjes së Metës.