Pensionistët e rremë, 400 milionë lekë dëm shtetit
SIGURIMET/ Drejtori i Sigurimeve Shoqërore, Frederik Tufa, shprehet se janë 500 vetë që pritet t'i kthejnë para shtetit
Në verifikimet e kryera rezulton se shumë kanë rritur moshën në mënyrë abuzive, si minatorë, ashtu edhe fermerë
DURRËS - 500 "pensionistë" pritet t'i kthejnë shtetit rreth 400 milionë lekë. Kjo është situata me të cilën njihesh në Sigurimet Shoqërore të Durrësit.mbi abuzimet e mëdha të konstatuara në lidhje me pensionet. Kontrollet e imtësishme kanë nxjerrë fakte të abuzimit të bëra vitet e fundit me dosjet e pensioneve në qarkun e Durrësit. Sipas drejtuesve të këtij sektori, spekulimet në dokumentacion kanë nisur që nga dokumentacionet false të lëshuara për rritje te moshës, si dhe nga lëshimi i vërtetimeve për kategori të përcaktuara, si: minatorë, invalidë në ish-Ndërmarrjet Bujqësore (fermat) etj. Në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore thonë se gjatë këtij viti ka nisur verifikimi i dosjeve kryesisht për atë kategori ku edhe dyshohet se janë shënuar abuzime të rënda.
Sipas verifikimeve të deritanishme, ka rezultuar se shumë pensionistë kanë arritur në mënyra abuzive që të përfitojnë në mënyrë të padrejtë pensionin e pleqërisë, pavarësisht se nuk kanë mbushur moshën. Në pajisjen e tyre me dokumentacion spekulativ për rritje moshe kanë ndikuar edhe disa shoqata. Në drejtori lidhur me këtë thonë se këto shoqata i kanë pajisur me vërtetime false, duke falsifikuar dokumentacionin me vjetërsi pune në sektorë të vështirë.
Lidhur me këtë situatë të krijuar drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Durrësit, Frederik Tufa, thotë se "Zyra Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Qarkun e Durrësit ka nisur fillimisht verifikimin e të gjitha dosjeve për ish-minatorët, të cilët janë kryesisht nga qyteti i Fierit me banim në Durrës. 745 dosje pensioni janë pezulluar nga ana e sigurimeve shoqërore. 500 pensionistë duhet t'i kthejnë shtetit 400 milionë lekë të përfituara padrejtësisht nga këto shkelje". Sipas Tufës, çdo pensionist i "rremë" ka përfituar një shumë prej 8 milionë lekësh në vitet e fundit që nga nisja e marrjes së pensionit. Ai thotë se nga verifikimet e kryera nga ana e specialistëve të Sigurimeve Shoqërore rezulton se ka pasur shkelje të rënda në plotësimin e dokumentacionit e për pasojë u është pezulluar e drejta e pensionit. Çështja ka shkuar në gjykatë për 500 dosje. Për 200 dosje janë plotësuar dokumentet e nevojshme dhe janë rifutur sërish në skemën e pensioneve.
Tufa thotë se verifikimi ka nisur pas sinjaleve të ndryshme të ardhura për disa dosje pensioni. Dyshohej se dokumentacioni ishte i falsifikuar me rritje moshe, për grupe të ndryshme. Në fakt, 34 dosje janë dërguar në prokurorinë e rrethit të Durrësit. Ai saktëson se kategoria e ish-minatorëve qe e para që u verifikua. Por pas tyre dolën të manipuluara nga makinacione te ndryshme edhe dosjet e punonjësve të fermave etj. Drejtori thotë se tashmë ka filluar edhe kthimi i parave të përfituara padrejtësisht. Sipas tij, javën e fundit dy prej personave që u përballën me gjykatën kanë derdhur në arkën e shtetit 1,5 milionë lekë të reja të përfituara padrejtësisht. Për punë të dobët dhe papërgjegjshmëri në detyrë janë shkarkuar para pak kohësh nga detyra në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore në Durrës 4 punonjës, ndërsa disa të tjerë kanë marrë paralajmërim për largim nga puna. Nga ky sektor trajtohen mbi 45 mijë pensionistë dhe 4300 invalidë.