E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e votës, PDK e LZHK protestë para Prokurorisë

PDK e LZHK protestuan dje para Prokurorisë: Hetoni zgjedhjet! PDK vendos ti bashkohet protestës së opozitës

TIRANË-Partitë e vogla të qendrës së djathtë protestuan dje para Prokurorisë së Përgjithshme, duke i kërkuar asaj që të nisë hetimet për zgjedhjet e 28 Qershorit. Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e drejtuar nga Dashamir Shehi dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës, duke u bazuar në faktet e siguruara për manipulimin e zgjedhjeve gjatë proçesit të numërimit, veçanërisht në qarkun e Shkodrës dhe pjesërisht në atë të Tiranës, kërkuan që Prokuroria të mos heshtë para një situate të tillë. Për këto fakte, që PDK-ja ia dorëzoi para dy javësh organit të akuzës, Ndoka theksoi se Prokuroria ka mundësi që jo vetëm të kryejë hetimin në zonat e pretenduara, por edhe të zgjidhë krizën politike në vend. Sipas Ndokës, Prokuroria e Përgjithshme ka provat e mjaftueshme që për katër qendra votimi ku disponon materialet filmike, të nisë hetimet për të zbardhur të vërtetën që fshihet në kutitë e votimit.

"Prokuroria tashmë ka në dorë, jo vetëm zbatimin e ligjit në funksion të detyrës që ka, por në një farë mënyre ka edhe zgjidhjen e krizës politike, që ka mbërthyer mazhorancën dhe opozitën. Prokuroria ka provat e mjaftueshme, që të paktën në katër qendra votimi, që ato i disponojnë materialet filmike, të bëjnë konfiskimin e këtyre kutive të votimit, të bëjnë numërimin e kutive të votimit, për arsye se pjesa filmike nuk është një provë e drejtpërdrejtë për Prokurorinë, por janë një nisje për fillimin e hetimit dhe nga këto del e vërteta, e cila fshihet në ato kuti votimi", - tha dje Ndoka.

Kreu i demokristianëve vuri në dukje, se ai kërkon vetëm transparencën pa u kryer përmbysja e rezultatit edhe pse këtë rezultat ata e kanë dhe vazhdojnë ta kontestojnë me prova. "Ne kërkojmë thjesht transparencën, pa i përmbysur ato rezultate, pavarësisht se ne i kontestojmë ato me prova", - shtoi ai. Gjithashtu, Ndoka i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, që gjatë procesit të hetimit të mos ndikohet nga mazhoranca dhe të mos i zvarrisë procedurat në fjalë. Ndërsa, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, tha se dokumentet e paraqitura në Prokurori janë flagrante dhe nuk kanë nevojë për hetime të gjata, pasi edhe niveli i vjedhjes është i pambulueshëm.

"Dokumentet janë flagrante fare, vjedhja është ashiqare, e dukshme, e numërueshme, nuk ka nevojë për shumë hetime të gjata, flas për zonën e Shkodrës. E njëjta gjë po ndodh edhe në Tiranë, për aq sa mund të hapim, për aq sa janë mundësitë e dokumentacionit, me këto gjysmë- filmime, që janë bërë. Megjithatë, niveli i vjedhjes është i tillë saqë është i pambulueshëm", - pohoi dje Shehi. Këto dy forca politike, veçanërisht PDK-ja, arritën të siguronin materialet filmike nga procesi i numërimit të votave, duke i vërtetuar ato me proçesverbalet nga ku rezultoi që në qarkun e Shkodrës kishte vjedhje masive të votave të PDK-së dhe LZHK-së nga grupi i numëruesve. Në të njëjtën kohë, Kryesia e PDK-së e mbledhur dje, ka vendosur që t'i bashkëngjitet protestës së opozitës në datën 20 Nëntor në Tiranë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›