E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i Mbetjeve, Bino: Nuk lejon importin e tyre nga jashtë

Ligji i mbetjeve nuk ka për qëllim të lejojë importimin e tyre nga jashtë vendit. Kështu ka deklaruar dje, zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, i cili është shprehur se ai nuk është ligji i importit të mbetjeve dhe as nuk ka për qëllim të lejojë importin e mbetjeve. “Informoj sërish se rruga e importit të mbetjeve është e hapur që prej vitit 2003, ndaj dhe qeveria nuk do të kishte asnjë nevojë ta risillte në vëmendje nëse do të kishte mendime dhe qëllime mafioze. Përkundrazi, ligji i miratuar shprehet në nenin 48 të tij se: ‘në Republikën e Shqipërisë ndalohet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe importi i mbetjeve jo të rrezikshme me qëllim ruajtjen ose asgjësimin”, - ka deklaruar Bino. Sipas tij, ky ligj i hartuar me ekspertët europianë përputhet plotësisht me Direktivën Kuadër Europiane për Mbetjet, të miratuar nga vetë Parlamenti dhe Këshilli Europian në vitin 2008. Në ndryshim nga ligji i mëparshëm, zv.ministri i Mjedisit, sqaron ligji i ri hap tashmë rrugën për trajtimin e duhur e përfundimtar të të gjitha rrymave të mbetjeve, nga ambalazhet dhe mbetjet nga ambalazhet ku përfshihet dhe plastika; mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike; mbetjet nga makinat në fund të jetës apo ndryshe nga makinat e hedhura; mbetjet nga bateritë dhe akumulatorët dhe vajrat e përdorur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›