Mikrobiologu Trimçev: Vaksina e re e poliomielitit mund të ndalë qarkullimin e virusit dhe të ndihmojë zhdukjen përfundimtare të tij

Mikrobiologu dhe kërkuesi shkencor shqiptar, Denny Trimçev, i cili po punon aktualisht në San Francisko si post-doktorant në një projekt ndërkombëtar për zhvillimin e një vaksine të re kundër poliomielitit, deklaroi se objektivi kryesor i kërkimit është krijimi i një vaksine më të sigurt dhe më efektive që të mund të ndalojë plotësisht qarkullimin e virusit.
Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri”, ai theksoi se një vaksinë e tillë do të ishte një hap i rëndësishëm drejt çrrënjosjes globale të polios, sëmundje që prek kryesisht fëmijët dhe që në raste të veçanta shkakton paralizë të përhershme.
“Vaksina aktuale orale është shumë efektive për ndalimin e shpërndarjes, por në një numër shumë të vogël rastesh mund të rikthehet virusi. Ky është motivacioni ynë: të krijojmë një vaksinë më të avancuar që nuk rikthehet dhe që lejon zhdukjen përfundimtare të poliomielitit”, u shpreh Trimçev.
Studiuesi i ri shqiptar, i njohur për punën e tij mbi evolucionin e viruseve, shpjegoi se polio është një virus që infekton zorrët dhe shpërndahet kryesisht përmes ujërave të zeza dhe mungesës së higjienës.
“Nëse virusi gjendet në ushqim të pagatuar ose në duar të palara, rreziku ekziston. Për shumicën e njerëzve nuk shkakton pasoja të rënda, por te disa individë shkon në sistemin nervor dhe krijon paralizë. Për këtë arsye, vaksinimi është jetik”, theksoi ai.
Trimçev, i cili ka studiuar më herët mutacionet dhe sjelljen e viruseve si gripi dhe SARS-CoV-2, foli edhe për mësimet që solli pandemia.
“Pamë që kur njerëzit maskoheshin, virusi evoluonte më pak, por qarkullimi zgjaste më shumë. Imuniteti fiton vetëm me vaksinim. Vaksina e COVID-19 nuk e bllokoi plotësisht qarkullimin, por shpëtoi shumë jetë. Ndërsa te poliomieliti, vaksina mund të bllokojë qarkullimin dhe kjo e bën të mundur iradikimin,” tha ai.
Trimçev tregoi se ka gjetur në San Francisko mundësinë për të përdorur inteligjencën artificiale në zhvillimin e vaksinave të reja, përfshirë atë kundër polios.
“Qëllimi është i qartë: të ndalojmë shpërndarjen, të parandalojmë paralizën dhe të arrijmë zhdukjen e virusit,” përfundoi ai.
/rtsh.al/