E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mikrofinanca huadhënësi kryesor në bujqësi – Në 2024 u disbursuan 400 mln euro dhe u mbështetën 25 mijë biznese familjare

Sektori Mikrofinanciar në vend mbetet një ndër instrumentet më të mirë në kreditimin e segmenteve të tregut të cilat e kanë të pamundur aksesin në kanalet bankare.

Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Mikrofinancës për Vitin 2024 flasin për një progres të kënaqshëm me rritje dyshifrore për segmentet individë, biznese dhe fermerë.

“Anëtarët e shoqatës disbursuan rreth 410 milionë euro që është një shifër e konsiderueshme. Patëm një shtesë në numrin e klientëve të shërbyer prej rreth 75 mijë klientësh”, u shpreh Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Mikrofinancës, Brunilda Isaj.

Referuar shifrave, kredia e biznesit dhe ajo agro qëndrojnë në kufijtë e 65%, ndërkohë pjesën tjetër e zënë individët.

“Kjo e shprehur në vëllime tregon që pozicionimi i sektorit është mjaft i balancuar për tregun. Kredia për individë ka marrë ritme rritjeje të përshpejtuara gjatë viteve të fundit. Për t’u përmendur është zgjerimi i kredisë për bujqësi që është një lajm shumë i mirë”, tha ajo.

Ndër sfidat kryesore për Brunilda Isaj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Mikrofinancës, mbeten kostot e larta të fondeve, të cilat bëjnë që kredia të dalë në treg më e shtrenjtë; përmirësimi i kuadrit ligjor më të plotë dhe më të mirëpërcaktuar në mënyrë që të sigurohet edhe një trajtim më i mirë i kredive me probleme; si dhe aksesi në skemat e garancive mbështetëse, të cilat do të mitigonin kostot për klientin përfundimtar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›