Miku i Ed Ramës, Artan Gaçi ndahet nga bashkëshortja
Dihet që në Tiranën tonë urbane, më shumë njerëzit merren me hallet e komshiut sesa të vetat. Nëse do të dish historinë tënde personale, atë mund të ta rrëfejë më mirë se kushdo komshiu, shoku, kolegu i punës, etj… asgjë nuk bën çudi tashmë. Madje e kundërta do të ishte shqetësuese... Kështu nuk ishte aspak habi që dje, ndërsa jepej vendimi i Kolegjit Zgjedhor, që shpallte fitues të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Bashën, në tavolinën time flitej për “Tanin e Firences”, siç njihet në rrethin e miqve të tij. Artan Gaçi, deputeti i Partisë Socialiste, mik i kryetarit të saj Edi Rama, ishte ndarë nga bashkëshortja e tij… Deri këtu nuk kishte asnjë gjë jashtë normalitetit, por personi që i vinin në krah atij, atë që e cilësonin shkaktare të kësaj ndarjeje, ishte një personazh po aq i njohur sa ai… Ky fakt e komplikonte pak situatën. Kjo jo sepse është ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme. Përkundrazi. Jeta është e tillë me bashkime, ndarje, e më tej bashkime të reja. Këto e përbëjnë dhe e quajnë atë në fund të fundit, jetë. E megjithatë, nëse Gaçi do të vazhdonte të ishte vetëm Tani i Firences dhe jo Artan Gaçi, deputeti i Partisë Socialiste, ndarja, bashkimi dhe çdo gjë që do të kishte të bënte me jetën e tij personale do të ishte jashtë vëmendjes së medias. Por fakti që ai është tashmë një personazh publik, nuk ka sesi të mos tërheqë, nuk ka sesi të kalojë si një gjë e zakonshme, për faqet e shtypit rozë. I kontaktuar nga gazeta, vetë deputeti Gaçi pranoi që mes tij dhe bashkëshortes kishte një ndarje që vinte si pasojë e mosmarrëveshjeve, tashmë të ditura prej kohësh në rrethin e tij familjar e më gjerë. Por nga ana tjetër, ai mohoi të kishte marrëdhënie me ndonjë personazh tjetër. “Jemi në procedura ndarjeje, por kjo nuk ka të bëjë me ndonjë marrëdhënie të re nga ana ime, por me faktin se prej kohësh unë dhe bashkëshortja ime kemi probleme e mosmarrëveshje”, ka pohuar deputeti Gaçi. Duke lënë të kuptohet se ndarja e tij nga bashkëshortja nuk është pasojë e asnjë personi të tretë!