Miku im artist!
Muzeu Kombëtar me sa duket do jetë streha e re për edicionin e 12-të të ekspozitës së pikturës “Nëntor”. Diku mes datave 20 nëntor e 4 dhjetor 2009 do të ekspozojnë së bashku siç kanë bërë deri tani rreth 30 artistë, pjesa më e madhe e tyre të mirënjohur nga publiku artdashës. Në rrokopujën postzgjedhore ndoshta do jetë e vështirë të flitet qetë e në mënyrë reflektuese mbi çka ngjarë e ç’po ngjet në artin tonë, që disa e quajnë pamor, disa viziv e disa akoma figurativ. Personalisht do preferoja artet e bukura si togfjalësh, por disa do më ngrefosen, duke më thënë se e bukura s’ka shumë rëndësi sot, problemi dhe ideja që paraqet kanë vlerë. Nuk dua të konfliktohem me ta që në krye të shkrimit por meqenëse pikërisht këto ditë takova një mikun tim artist, preferova ta risjell këtu bisedën që u zhvillua mes nesh e që besoj se ka interes për lexuesin tonë. Miku im, sapo u ulëm zbrazi bateritë e tij kundra politikës e sherrit politik që s’po na ndahet e pastaj u hodh aty ku ne na dhemb, tek ajo pjesa që rëndom quhet si vrima e fundit e kavallit për çdo qeveri, domethënë çështjet e artit e kulturës. Për lehtësinë e lexuesit zgjodha mënyrën e paraqitjes së bisedës sonë si dialog skenik. Skenografia e gatshme nga një bar-kafe në Tiranë.
Muzika, sipas dëshirës së banakierit.
Ai – Dëgjova për ekspozitën “Nëntor” që pas kaq vitesh ekspozimi në Galerinë Kombëtare tani po kthehet aty ku e nisët, në Muzeun Historik, natyrisht pa dëshirën tuaj.
Unë – Epo me sa duket organizimi vullnetar krijon akoma bezdi nëse struktura e tij nuk përputhet me sistemin drejtues aktual të artit.
Ai – Ha ha ha... pse ti beson se ka sistem arti këtu, beson se funksionon ndonjë sistem arti në metropolin tonë provincial. Këtu miku im, sistemi është individualizmi ekzistencial që bashkëshoqërohet me klanizmin apo grup-pushtetet artistike që alternohen kohë pas kohe. ǒmund të themi kur mungesa e sallave dhe indiferenca e shtetit shkojnë paralel, kur mediokriteti qoftë me kostum tradicional, modern apo postmodern s’ka të ndalur, madje koracohet më mirë nëse artikulohet edhe në anglisht, ndërkohë, janë hedhur e hidhen jo pak para për aktivitete që vetëm nëpër katalogë mund t’i gjejë ndonjë artdashës i vonuar.
Unë – Gjithsesi më mirë të krijosh besoj, qoftë edhe në mënyrë modeste sesa të hidhesh nga ballkoni apo të shesësh drogë.
Ai – E kuptoj pesimizmin e shakasë tënde, por ajo që mua më shqetëson sot, është jo thjesht indiferenca shtetërore, mungesa e galerive të mirëfillta private, mungesa e informacionit mbi atë se ç’ka ndodh me krijimtarinë serioze dhe problemet që ajo përballet, mungesa e institucionit të kritikës, pa folur për nivelin e medias, pra ajo ç’ka më shqetëson është fakti se çfarë ka ngelur nga krijimtaria e këtyre 20 viteve. Çfarë ka hyrë në fondin e Galerisë Kombëtare e sa nga këto vepra publiku i ka parë apo i ka bërë pjesë të ndërgjegjes së vet shpirtërore. Çfarë ka ngelur në ambientet tona publike, të cilat gati janë të zhveshura nga çdo gjurmë arti. Kjo më shqetëson miku im. Askush nesër nuk do mund të shohë apo të kërkojë në arkiva krijimtarinë e sotme nëse ne nuk e përkrahim, nxisim, vlerësojmë, e më pas ta konservojmë atë me kujdes. Këtu nuk e kam fjalën për miqësitë apo preferencat mes individëve dhe institucioneve që natyrisht ndikojnë, e jo rrallë për keq.
Unë - S’kam përgjigje për këtë, mjafton të kujtoj faktin se nga 11 ekspozita të Nëntorit nuk është marrë asnjë vepër për fondin e Galerisë, përkundër idesë së pranuar gjerësisht se ka pasur ç’të zgjedhësh prej saj. Por ke dëgjuar besoj, se ka autorë të suksesshëm jashtë vendit, madje disa thonë se videot e tyre kanë zënë vend nëpër muzeume atje.
Ai – Ha ha ha... dhe ti e ke ngrënë këtë, dakord, paskan ca video në muzeume atje, po këtu ç’kanë? Fundja të kishte Galeria ndonjë, edhe për faktin se këta autorë nuk lindën andej, prej këtej emigruan. Apo disa prej tyre, veç interesave reciproke na duhen edhe si pjesë e show-t për të thithur publik elitar me kollare, zyrtarë apo përfaqësues biznesi, pjesa më e madhe e të cilëve sapo mbaron aktiviteti vrapojnë të blejnë piktura te tregu shumicës, apo nuk e beson këtë? Por si mundet miku im që këta njerëz nuk kuptojnë e nuk dallojnë dot vlerën në një kuadrat pikture, si mund të vlerësojnë një video apo instalacion, për të mos folur për performancat. Ndoshta këto të fundit edhe mund ti kuptojnë sepse aplikohen me sukses në shumë demonstrime social-politike këtu apo jashtë, pavarësisht se ata nuk kanë qëllime ekspozimi por thjesht demonstrim idesh. I mban mend besoj letrat higjienike të hedhura mbi pemë nga të rinjtë e një shoqate. Por çuditë që ndodhin në artet pamore vështirë se ndodhin në fushat e tjera të artit, sepse nuk ndodh askund që juria përzgjedhëse për konkurse letrare apo festivale kinematografike të kryesohet nga dikush që thjesht ka hobi letërsinë apo kinemanë.
Unë – Je pak radikal, por mendoj se mund të ekspozohet gjithçka pa censurë mjafton që vëmendja mediatike, private e shtetërore dhe mbështetja e tyre të mos jetë selektive apo përçmuese.
Ai – Po çfarë radikali qenkam unë, s’kam asgjë në dorë, asnjë pushtet. Nëse do një këshillë prej meje, ruaju nga radikalët e sistemit që folëm, ata të përzënë me shkelma pa shumë ceremoni nga çdo aktivitet ku mendojnë se ju bën hije apo nuk manipulohesh siç duan ata. Ti mendon se mund të bëhet gjithçka me dashuri, por gabon miku im, dashuria apo idealizmi nuk të çojnë larg, pragmatizmi po. Jeta është mjaft e shkurtër me sa duket e ëndrrat, sado të ngrohura në diell mesdhetar duan edhe shumë kushte të tjera për tu bërë realitet. Nëse pas teje qëndron ndonjë parti apo pozicion personal zyrtar, natyrisht shanset i ke më të mëdha.
Unë – Tani po bëhesh ti pesimist!
Ai – Jo, nuk besoj, thjesht po mundohem të kem një vështrim realist. Fjala vjen, nuk mund të pranoj që sot arti të katandiset vetëm në pasqyrimin e problematikave që paska shoqëria njerëzore pa njohur nevojën, siç thonë ata, të nivelit të lartë estetik apo emocionin që të fal mjeshtria individuale e çdo artisti. Mirëpo arti s’ka kuptim pa to. Problemet as janë zgjidhur, as kanë për tu zgjidhur përmes artit, ky është vetëm një iluzion në mos qoftë një manipulim i madh. Me problemet e shoqërisë merren pa fund mediat e shkruara dhe ato vizive, shoqatat jo qeveritare kudo ku janë, sindikatat dhe partitë politike në mbarë botën, organizmat ndërkombëtare apo filantropike, vetë shoqëria ka fatin e saj në dorë, por pa diskutim nuk mund të përjashtohet edhe roli i artit në funksion të këtyre zgjidhjeje. Në ekspozitën e Nëntorit kam parë vepra ku ka përpjekje për nivel të lartë estetik pa i mëshuar shumë ideve sociale, siç ndodh të ketë edhe vepra ku idetë apo problematikat sociale që shqetësojnë autorin të vishen edhe me mjeshtrinë artistike, diçka që ndodh edhe në ekspozita të tjera që hapen. Mbi të gjitha besoj se arti ka rol të madh në ringritjen shpirtërore e jo të shtojë më tej depresionin tonë.
Unë – Padyshim ke të drejtë, ndoshta fajin e ka tranzicioni... mos qesh, them ndoshta, por sinqerisht i uroj suksese kolegut Tula në kurimin e “Nëntor12”, sepse besoj e di çfarë heq kur çdo gjë bëhet vullnetarisht pavarësisht nga mbështetja e miqve, kolegëve apo dashamirësve, të cilët kanë gjithmonë mirënjohjen tonë.
Ai – Natyrisht i njoh vështirësitë, kuptoj deri diku edhe arsyet e dorëheqjes tënde pas kurimit të “Nëntor11”, megjithëse më erdhi keq, por e dimë të dy fare mirë se sa vështirë është të jesh krijues në këtë vend. Duket gati aventurë, madje budallallëk, por a mund të bëjmë ndryshe? Nuk e di.
Pas këtyre fjalëve ra pak heshtje mes nesh, ndërkohë që miku im artist ju lut kamerierit të ulte pak muzikën e lartë që buçiste në lokal. Vazhduam edhe ca bisedën tonë për tema të tjera pa përjashtuar as çështjen e ujërave mes Greqisë e Shqipërisë, por meqenëse të dy nuk dinim mirë not e lamë atë bisedë. Në fund, para se të ndaheshim mora premtimin e tij se do të vinte patjetër në hapjen e Ekspozitës “Nëntor12”.