E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1; Rikthehet gripi, në një javë, 9 raste të reja



Virusi i gripit të derrit A/H1N1 është rikthyer sërish, duke qarkulluar në popullatë. Pas një periudhe qetësie prej dy muajsh, gripi pandemik ka nisur të shkaktojë edhe “pretë” e radhës. Ministria e Shëndetësisë përmes zëdhënëses Alisa Demollari ka njoftuar dje se vetëm gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja. Sipas Demollarit, të gjitha rastet kanë pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Gjithashtu, mësohet se MSH-ja ka në dispozicion 10 mijë doza tamiflu, ndërsa në ditët në vijim do të sigurojë edhe vaksinën kundër virusit.

Gripi

Në raportimin e bërë dje gjatë mbledhjes së Komitetit të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me situatën e virusit A/H1N1 është deklaruar se pas një periudhe qetësie gjatë muajve shtator-tetor, ky virus po rifillon të qarkullojë në popullatë, si dhe mësohet se gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja.

“Të gjitha rastet kanë pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar në sistemin tonë shëndetësor, kryesisht në QSUT. Ndërkohë, janë identifikuar raste me grip jo A/H1N1 çka dëshmon se në popullatë po qarkullon edhe virusi i gripit sezonal”, - bën të ditur zyra e shtypit në MSH.

Ndërkohë që identifikimi i rasteve të reja me virusin e gripit të derrit do të bëhet në vendin tonë pas vënies në funksionim të teknologjisë së re testuese dhe fillimi nga puna në laboratorin e ri në ditët që vijojnë, forcojnë aftësitë e sistemit shëndetësor lidhur me shpejtësinë e vendosjes së diagnozës dhe mbështetjen e klinicistëve në menaxhimin e rasteve.

Masat

“Para dy ditësh ka mbërritur në ISHP një sasi e re preparati antiviral tamiflu, që mjafton për të trajtuar rreth 10 000 raste, ndërsa të gjitha spitalet rajonale janë të furnizuara me një sasi bazë dhe mund të marrin sasi të reja nga Instituti i Shëndetit Publik”, - thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimet e OBSH-së inkurajon qytetarët se në farmacitë e vendit ka një sasi të mjaftueshme me vaksinë kundër gripit sezonal dhe ata duhet ta blejnë dhe ta përdorin këtë vaksinë e cila aplikohet falas pranë qendrave shëndetësore për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.

Gjithashtu, mësohet se Ministria e Shëndetësisë është duke përfunduar procedurat e prokurimit të vaksinës kundër gripit te ri pandemik të quajtur ndryshe A/H1N1. Brenda disa javësh në vendin tonë do të fillojë vaksinimi kundër gripit të ri pandemik për disa grupe të popullatës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›