E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, Inter e Juve në ethet e merkatos

Kampioni i Italisë dhe klubi më me shumë trofe në planet, Milani, është futur në bisedime me Liverpulin për mesfushorin që luajti si huazim te Juventusi sezonin që sapo lamë pas, Alberto Akuilanin. “Il Corriere dello Sport” shkruan se Milani është shumë i interesuar për firmën e Akuilanit, pasi Juventusi refuzoi që të bënte ndonjë ofertë prej 16 milionë eurosh, aq sa kërkonte Liverpuli. Tani “The Reds” kërkojnë 10 milionë euro për mesfushorin italian, gjë që ka hasur në mirëkuptim me interesat e klubit nga Milanelo. Adriano Galiani është pare, sipas “Tribalfootball”, ditëve të fundit në Angli, për të biseduar për ish-mesfushorin e Romës. Por nuk po lëviz vetëm Milani për t’u përforcuar në prag të sezonit të ri. Presidenti i Interit, Masimo Morati është duke e parë veten në një situatë aspak të rehatshme, pasi Çelsi ka bërë një ofertë joshëse për Uesli Shnajderin. “Il Corriere dello Sport” shkruan se me ofertën prej 35 milionë eurosh të refuzuar nga Interi për mesfushorin holandez, janë Blutë ata që në tentativën e dytë kanë bërë një tentativë më joshëse, duke lëkundër presidencën zikaltër. Çelsi ka ofruar Florent Maludan, Majkëll Esien plus një shumë të konsiderueshme parash për holandezin dhe Morati besohet se është i gatshëm ta realizojë këtë operacion, megjithëse fjala e fundit i mbetet Leonardos. Nëse klubet nga Milano janë të fokusuara në lëvizjet e tyre, trajneri i ri i Juventusit, Antonio Konte dëshiron të nënshkruajë me sulmuesin e Mançester Sitit, Karlos Tevez. Konte është i vetëdijshëm për interesimin e Interit për Tevezin dhe është i dëshiruar ta marrë argjentinasin nga duart e rivalit. “Ne mund të bëjmë bujë duke nënshkruar me të”, raportohet t’u ketë thënë Konte drejtuesve të klubit. “Tuttosport” shkruan se Juve është e gatshëme të bëjë ofertë për Tevezin pas deklaratave të tij të fundit se pronari i klubit, Sheik Mansur, i ka thënë atij se mund të largohet nëse vërtet dëshiron.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›