Franca, tani mendon për Shqipërinë
Barazimi i së premtes në Minsk kundër Bjellorusisë nuk është kapërdirë aspak nga kombëtarja e “gjelave”. 1-1 përfundoi ndeshja duke mos u dhënë francezëve kënaqësinë e hakmarrjes kundër skuadrës së Shtanges, që u “vodhi” fitoren djemve të Blankut në “Stade de France” në sfidën e parë të këtyre eliminatoreve.
Megjithatë, Bjellorusia është arkivuar në mendjen e të gjithë fracezëve dhe tani synimi i tyre është fushata e shtatorit, ku Franca do të luajë dy transferta radhazi: më 2 shtator kundër Shqipërisë në Tiranë dhe më 6 kundër Rumanisë në Bukuresht. Për sulmuesin e Francës dhe të Real Madridit, Karim Benzema, është e qartë se gjithçka do të luhet në këto dy përballje, ndonëse do të kishte dëshiruar një fitore në sfidën e Minskut. “Jemi të zhgënjyer, por lehtësimi vjen vetëm nga fakti që nuk u mundëm. Çdo ndeshje ka historinë e saj. Tani na duhet që të shkojmë e të fitojmë në Shqipëri dhe Rumani. Janë ndeshje të vështira që të dyja dhe këtu do të kalojë edhe kualifikimi ynë për në Euro 2012,” deklaroi Benzema.
Por edhe Florent Maluda e ka cilësuar barazimin në Minsk si “një ndeshje të keqe”, por nga ana tjetër mendon se kjo eksperiencë do t’u vjelë shumë “gjelave” për ndeshjet kundër Shqipërisë dhe Rumanisë. “Mund të them që në Minsk fituam shumë eksperiencë në prag të ndeshjeve me Shqipërinë dhe Rumaninë,” deklaron mesfushori i Çelsit.
L’Equipe analizon grupin D
Ndërkohë, gazeta më e madhe sportive në Francë, “L’Equipe”, i ka ndjekur me shumë vëmendje të dyja sfidat e ditës së martë, Bjellorusi-Luksemburg dhe Bosnje-Shqipëri, të cilat përfunduan me fitoren e të zotëve të shtëpisë me shifrat 2-0. “Djemtë e Safet Susiç, të masakruar të premten ndaj Rumanisë, kanë arritur një sukses të merituar, që u vendos nga golat e Medujanin (67’) dhe në limitet e ndeshjes nga Maletiç.” Duket qartë që në Francë janë të interesuar edhe për përballjen direkte mes Bosnjes dhe Bjellorusisë. “Duhet thënë se përballja e dyfishtë mes dy kombeve, më 3 dhe 6 shtator, do të jetë vërtet ekzplozive” shkruan “L’Equipe” në numrin e djeshëm të saj