Milan, pakt me Ançelotin. Por tani nuk ka rinovim
Një darkë për të arritur një pakt. Karlo Ançeloti qëndron te Milani deri në fund të skadencës së kontratës së tij, në qershor 2010. Vendimi u mor pas marrëveshjes mes Ançelotit dhe Galianit, në takimin e të mërkurës në mbrëmje. Biseda mes të dyve ka zgjatur pak më shumë se një orë dhe janë prekur të gjitha argumentet e ditëve të fundit. Si fillim, sigurisht është folur për pozicionin e trajnerit. Ançeloti dëshironte të dinte se cilat ishin qëllimet e Milanit, mbi të gjitha pas deklaratave të Galianit ("për pankinën e Milanit e kam një ide, por e mbaj për vete" kishte thënë të martën administratori i deleguar i kuqezinjve). "Nuk ekziston asnjë marrëveshje me trajnerë të tjerë, ka garantuar Galiani, dhe qëllimi i klubit, nëse arrin vendin e tretë në Seria A, është të konfirmojë Ançelotin". Edhe Galiani, logjikisht, është informuar mbi kontaktet që trajnerit ka pasur me disa skuadra të huaja, Real Madrid dhe Çelsi mbi të gjitha. Ançeloti ka shpjeguar se Milani mbetet në krye të mendimeve të tij dhe se deri tani nuk ka pasur asgjë zyrtare dhe konkrete. Dëshira e tij është të vazhdojë të punojë në Milanelo me grupin që ka ndërtuar. Nuk ka qenë nevoja për shtrëngime duarsh, të dy janë në sintoni të plotë prej shumë kohësh. Nëse pakti do të respektohet, dhe për momentin nuk ka asgjë që të të bëjë të mendosh të kundërtën, Ançeloti do të ketë mundësinë, përmes rezultateve që do të arrijë nga shtatori në dhjetor 2009, të fitojë rikonfirmimin e mundshëm, pra zgjatjen e kontratës. Në të kundërt, në qershor 2010 secili do të duhet të vazhdojë në rrugën e tij. Ata të dy kanë diskutuar edhe në lidhje me merkaton e ardhshme dhe për mundësinë e përforcimit të skuadrës. Nuk ka shumë para për t‘u investuar. Do të duhet të kursehet edhe për shkak të krizës së përgjithshme. Por do të ketë disa blerje, nëse Milani do të arrijë objektivin e vendit të tretë: një mbrojtës qendror dhe një sulmues. Ançeloti ka garantuar Galianin se, me dy elementë të nivelit të mirë, skuadra mund të bëjë një hap kualitativ përpara.