E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, përforcime ose Ançeloti ikën

Pikëpyetja më e madhe e Milanit mbetet Karlo Ançeloti: në fund të sezonit qëndron apo do të largohet? Gjithmonë nëse trajneri realizon objektivin minimal të përcaktuar, pra kualifikimin në Ligën e Kampioneve, sepse, në të kundërt, klubi do t‘i jepte fund "bashkëjetesës" që zgjat prej nëntorit 2001. Me ecurinë e tanishme, ku kuqezinjtë po konsolidojnë vendin e tretë në Serinë A, zgjidhja e çështjes duket në dorë të drejtuesit të stolit. Kontrata e Ançelotit përfundon më 2010-ën, por gjithçka do të varet nga strategjitë e skuadrës për të ardhmen.

Deri më tani, ai kishte pranuar në heshtje çdo vendim të drejtuesve, madje edhe "tekat" e presidentit Berluskoni: dy rastet më të fundit janë Shevçenko dhe Ronaldinjo, të cilët u afruan në kontingjent, ndërkohë që trajneri kishte kërkuar një sulmues të fortë në lojën në ajër dhe një mbrojtës qendre. Që prej emërimit përpara tetë vjetëve, nuk kanë munguar rastet kur Ançeloti e ka përshtatur stilin e lojës sipas lojtarëve që klubi i vinte në dispozicion. Deri më tani, asnjëherë nuk kishte akuzuar mungesën e elementëve që kërkonte në skuadër, edhe nëse sezoni mbyllej mes zhgënjimeve. Kjo nuk do të ishte vetëm një justifikim për të shpëtuar "kokën", por realiteti i Milanit. Trajneri e cilëson veten një pjesëtar të klubit e pavarësisht se në disa raste nuk ka ndarë të njëjtin mendim, ka respektuar vendimet e mazhorancës (Berluskonit, Galianit dhe Braidës).

Megjithatë, shumë shpejt situata pritet të ndryshojë. Ançeloti duket se nuk është më i gatshëm që të pranojë një merkato, ku synimi kryesor do të jetë ai i kursimit të sa më shumë fondeve. 50-vjeçari nuk ka kërkuar asgjë të jashtëzakonshme, por përforcimin e skuadrës me një mbrojtës qendre dhe një sulmues. Të paktën dy blerje, ku emrat e rinj duhet të jenë lojtarë të nivelit ndërkombëtar. Për repartin difensiv, preferenca është Aleks i Çelsit, ndërsa për atë ofensiv, në krye të listës është njëri ndërmjet Samuel Eto‘o dhe Adebajor. Ançeloti është i bindur se me dy afrime të tilla, Milani mund të konkurrojë denjësisht si në kampionatin italian, ashtu edhe në kupat e Evropës. Nëse pretendimet e tij nuk do të plotësohen, deri më tani shpenzime të tilla nuk hyjnë në planet e klubit kuqezi, trajneri do t‘i përshëndesë të gjithë dhe do të largohet. Kandidati më i mundshëm për të marrë postin e Ançelotit është Leonardo, i cili aktualisht ka detyrën e drejtorit teknik. Ndërsa e ardhmja e Karletos mund të jetë larg Serisë A: Çelsi në Premiership, Bajerni i Mynihut në Bundesligë dhe Reali i Madridit në La Liga. Preferenca kryesore e trajnerit është që të punojë në "Santiago Bernabeu", ku nuk përjashtohet mundësia që të ketë sërish në skuadër yllin brazilian, Kaka. Nga Madridi e ndjekin prej kohësh dhe e admirojnë punën e Ançelotit. Një tjetër arsye përse ai mund të jetë në krye të merengues, është se Rafa Benitez, "rivali" i tij kryesor për Realin, rinovoi kontratën me Liverpulin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›