Virus i paqartë për Metajn

Një virus i shfaqur kohëve të fundit në trupin e tij, ia ka pamundësuar Shkodran Metajt që ta shfaqë talentin e tij në ekipin e ri, FC Emmen.
Sipas medieve holandeze, pas analizave të bëra, është konstatuar se futbollisti pejan ka shumë qeliza të bardha në gjak, të cilat thuhet se ia kanë humbur forcën dhe shpejtësinë, duke e bërë atë të lodhur.
“Kjo e ka përshkuar Shkodranin që një kohë të gjatë. Ai nuk e kishte energjinë, shpërthimin dhe ndërtimin e aksioneve, të cilat isha mësuar t’i shihja. Do ta hetojmë këtë rast dhe shpresojmë që ta kemi të qartë se çka ka ndodhur”, ka thënë trajneri i FC Emmen, Gall Joop.
Drejtuesit e klubit holandez shpresojnë që ta shohin sa më shpejt Metajn e vërtetë, i cili shkëlqente në krahun e majtë të mesfushës sa luante në Groningen e Waalwijk.