E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milanin e kap kriza në Xhenoa sërish barazim

ROME-Milani ka marrë barazimin e dytë radhazi në Serinë A, duke mos shkuar më shumë se rezultati 1-1 në "Marassi" kundër Xhenoas. Kuqezinjtë duken se janë futur në krizë në fillimin e vitit 2011, pasi nuk janë më skuadra që thyente lehtësisht çdo kundërshtar. Ndaj Xhenoas, ka qenë një takim i mbushur me dritëhije dhe ku ekipi i drejtuar nga Masimiliano Alegri nuk ka dhënë asnjëherë idenë se e kishte fitoren në dorë. Madje, edhe kur Pato realizoi golin e parë në minutën e 29-të. Milani nuk arrin të mbyllë ndeshjet dhe kur shënon golin e parë, pëson gjithnjë. Pas barazimit pa gola me Lacion, ndeshja e djeshme ishte idealje për të rinisur shkëputjen. Xhenoa nuk po kalon një moment të mirë dhe në fushën e saj ka lënë pikë pafund. Por, zemra e vendosur në fushë nga skuadra e drejtuar nga Balardini, dje ka qenë vendimtare. Kuqeblutë kanë kërkuar me ngulm të mos dilnin pa pikë dhe në fund ia kanë arritur kësaj. Por, me barazimin e djeshëm të Milanit, Seria A mund të quhet përfundimisht një kampionat i rihapur. Napoli është kthyer fuqishëm, duke qenë vetëm 3 pikë larg kreut, ndërkohë që edhe Interi e Roma duket se janë aty. Me këtë ecuri, Milani rrezikon që shumë shpejt të lëshojë fronin e kryesuesit.
Ndeshja
Takimi i djeshëm nisi me një Xhenoa agresive, ndërkohë që për çudi, Milani ka menduar të luajë gjithnjë me topa të gjatë për Zllatan Ibrahimoviç. Pas dy momenteve të mira për vendasit, vjen goditja e skuadrës së Alegrit. Ibrahimoviç zotëron një top në zonë dhe pason bukur për Aleksandre Paton, që nuk fal, duke barazuar shifrat. Reagimi i skuadrës xhenoveze ka qenë i shpejtë, por pa shumë rrezikshmëri. Në fundin e pjesës së parë, Floro Flores del i vetëm me Abiatin dhe e dërgon topin qetësisht në rrjetë. Një gabim fatal i mbrojtjes kuqezi, që e la të lirë ish-sulmuesin e Udinezes. Në pjesën e dytë, Milani nuk është aspak i rrezikshëm, ndonëse Xhenoa lë shumë hapësira, duke treguar se nuk është një skuadër mbrojtëse. Rastin më të mirë e ka Robinjo, që edhe pse i vetëm me portierin Eduardo, nuk arrin të shënojë. Më pas, është Ibra që pas një asisti me kokë të Patos në zonë, ndalet nga portieri portugez. Një tjetër mundësi është në çastet e fundit, kur Kasano depërton në zonë, por pa mundur të pasojë në qendër, ku ndodheshin Ibra e Pato.
Alegri
Pas barazimit të djeshëm, trajneri i Milanit Masimiliano Alegri nuk ka kërkuar të bëjë dramë. "Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe mund ta kishim mbyllur ndeshjen. Ishim të pafat në rastin e golit të barazimit, ndërsa në pjesën e dytë nuk ecëm aspak mirë. Humbëm shumë topa dhe u dukëm sikur kishim nxitim", tha ai. Por, Milani tashmë sheh pas vetes hijen e kundërshtarëve. "Kampionati është i gjatë, ka shumë ndeshje dhe ne jemi akoma në krye. Duhet të përmirësohemi në disa situata. Kur të rikuperojmë disa nga futbollistët që kemi të dëmtuar do të jetë më e lehtë. Presioni i ndjekësve? Jo, nuk e ndjejmë. Jemi ende të parët dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Napoli? Në fillim ishte surprizë, por tani po ecën shumë mirë dhe ka shumë entuziazëm", përfundoi trajneri i Milanit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›