“Milano–Cortina 2026”, presidenti Toçi dhe homologu i tij i San Marinos për RTSH: Shqipëria po shkruan historinë në këtë olimpiadë

Shqipëria ka nisur garat në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano–Cortina 2026”, ku skiatori Denni Xhepa përfundoi garën e parë në disiplinën Super-G, duke regjistruar një paraqitje historike për vendin tonë. Ndërkohë, më 15 shkurt do të zbresin në pistë Lara Colturi dhe Semire Dauti në disiplinën e Slalomit Gjigant.
Në një intervistë për emisionin “Në kohë reale” në RTSH, Elvis Toçi, president i Federatës Shqiptare të Skive, e cilësoi garën e Denit si një moment historik për sportin shqiptar.
“Sot ishte një ditë e veçantë për historinë e skive shqiptare. Në një garë ku shpejtësia arrin deri në 130 km/h, Deni regjistroi një rekord për Shqipërinë, natyrisht larg podiumit, por me një standard të lartë që e vendos vendin tonë mes shteteve me traditë dhe financime të mëdha në këtë sport. Kjo është një fitore për Shqipërinë,” u shpreh Toçi.
Ai theksoi se emocionet më të mëdha priten më 15 shkurt, kur Lara Colturi do të garojë në Slalom Gjigant, ndërsa ekipi shqiptar përfaqësohet në tri disiplina, një arritje e rëndësishme për një vend të vogël dhe në një sport jo tradicional për Shqipërinë.
“Pjesëmarrja jonë në këto Lojëra është një sukses në vetvete. Sportistët tanë po konkurrojnë me më të mirët e botës dhe kjo e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve që synojnë standarde të larta,” shtoi presidenti i Federatës Shqiptare të Skive.
Në mbështetje të ekipit shqiptar u shpreh edhe Presidenti i Federatës së Skive të San Marinos, Gian Luca Gatti, i cili përshëndeti publikisht punën e bërë nga federata shqiptare dhe paraqitjen në Olimpiadë.
“Ju përgëzoj për punën e madhe që keni bërë vitet e fundit. Këtë vit keni tre vajza dhe një djalë në Olimpiadë, çka tregon rritje dhe seriozitet. Është një paraqitje e fortë për një vend të vogël. Të kryqëzojmë gishtat, sepse Lara ka potencialin për medalje nëse është në formë të mirë dhe garon me kujdes,” deklaroi ai.
Sipas drejtuesve të dy federatave, pjesëmarrja dhe standardi i arritur në “Milano–Cortina 2026” shënojnë një hap cilësor për skitë shqiptare dhe një moment të rëndësishëm në historinë e sportit dimëror në vend.
Të gjitha garat dhe momentet kryesore të Lojërave Olimpike Dimërore transmetohen drejtpërdrejt në RTSH 1, RTSH 2 dhe RTSH Sport.
/rtsh.al/