Zhbllokohen 1.1 miliardë lekë për pronarët, ja kush kompensohet për tokat e zëna nga ndërtimet pa leje

Qeveria ka miratuar ditën e sotme një fond të konsiderueshëm për kompensimin financiar të pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale që tashmë janë legalizuar.
Sipas vendimit të qeverisë, vlera e përgjithshme e kompensimit është 1 miliard e 89 milionë lekë (të reja). Ky fond do të shkojë për të dëmshpërblyer pronarët për një sipërfaqe totale toke prej 101,752 m².
Zonat që përfitojnë
Vendimi përfshin pronarët e pasurive të paluajtshme në zonat më të nxehta të ndërtimeve informale. Drejtoritë e Kadastrës (ASHK) ku do të bëhet shpërndarja e fondit janë:
Tirana (Rurale 1, Rurale 2, Veri, Jug, Kamzë-Vorë);
Durrës-Kavajë-Krujë;
Elbasan, Vlorë, Fier, Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Zonat e Stimuluara.
Si bëhet pagesa?
Mekanizmi i pagesës bazohet te paratë që vetë qytetarët që kanë legalizuar shtëpitë kanë paguar për truallin. VKM saktëson se “të ardhurat që arkëtohen nga shitja e parcelës ndërtimore do të përdoren për kompensimin e pronarëve”.
Për një listë specifike pasurish (të detajuara në shtojcën e vendimit me numra rendorë), fondi do të vihet në dispozicion drejtpërdrejt nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP).
Drejtoritë vendore të Kadastrës janë ngarkuar që të kryejnë menjëherë ndryshimet në regjistrat e pasurive të paluajtshme, duke hequr barrën nga këto prona pasi të jetë kryer kompensimi.
/rtsh.al/