E Diel, 1 Nëntor 2026

Miliona europianë besojnë te numrat me fat

Sondazhi Një pjesë e ka humbur besimin edhe te shkencëtarët

Europianët, madje miliona syresh, vazhdojnë të kultivojnë zakone që kanë të bëjnë me supersticionin, duke besuar në fenomene të tilla si numrat tersë, apo ata me fat dhe duke shprehur shqetësimin se shoqëria ka krijuar varësi shumë të madhe ndaj shkencës, duke u larguar nga besimi. Të paktën ky është përfundimi i një sondazhi të fundit të vendeve të BE-së.
Sipas studimit që është bërë në lidhje me qëndrimin ndaj shkencës dhe teknologjisë të publikuar dje në rreth 30 mijë njerëz në Europë nga vendet e BE-së dhe Kroacia, Islanda, Norvegjia, Turqia dhe Zvicra, 2 në 3 prej tyre janë supersticiozë. 40% e të intervistuarve u përgjigjën se besonin te numrat me fat. Vetëm 35% e tyre bënë të ditur se nuk e kishin një besim të tillë, ndërsa pjesa e mbetur deklaroi se nuk e dinte me saktësi se cilët numra kishin efekte magjike. Një mendësi dhe supersticion i tillë është në rritje, krahasuar me një sondazh pak a shumë të ngjashëm të bërë nga Brukseli në vitin 2005. Besimi më i madh dhe më i fortë për fatin që sjellin numrat ka tendencë të jetë në vendet më të varfra të Europës, kryesisht ato në lindje dhe në jug të Bashkimit Europian. Për sa u përket shteteve më të pasura, ato tentojnë që të jenë më shumë mosbesuese ndaj supersticioneve të tilla, duke i konsideruar ato si legjenda apo mite të së shkuarës. 43% e danezëve besojnë në fuqinë pozitive që ka numri 39, ndërkohë që në të njëjtën mënyrë mendojnë edhe 35% e bullgarëve. Gratë, krahasuar me burrat, janë pak më shumë supersticioze. Sondazhi tregon edhe se në Europë thuajse dy të pestat e të pyeturve besojnë që shoqëria është shumë e varur te shkenca dhe teknologjia, duke pasur një lidhje gjithnjë e më të vogël me besimin. Një pjesë njerëzish mendojnë se shkenca dhe teknologjia mund të dëmtojnë ndonjëherë sensin moral të njerëzve. Madje ka edhe nga ata, edhe pse të pakët në numër, që mendojnë se shkenca dhe teknologjia mund të pengojnë dhe madje kërcënojnë të drejtat e njeriut. Njerëzit kanë filluar që të humbasin gjithnjë e më shumë besimin te shkencëtarët që varen nga industri të ndryshme për të realizuar kërkimet e tyre shkencore. Një pjesë e madhe mendojnë se nuk mund t’u besojnë shkencëtarëve në lidhje me çështje shumë të diskutueshme dhe të ndjeshme që kanë të bëjnë me industrinë edhe teknologjinë, për sa kohë që studimet e tyre varen nga paratë e bizneseve.
Në tërësi, sa më i pasur të jetë një vend, aq më pak besojnë njerëzit në gjëra të ndryshme dhe supersticione. Sa më i varfër është vendi, aq më i madh është numri i besimtarëve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›