Monumentet në sfidën për turizëm
Manastiri i Ardenicës është i heshtur në mëngjes. është fundjavë dhe dielli e ka prekur tashmë kodrën mbi të cilën është ngritur. Në një rrugëtim turistik që të çon drejt Jugut, për kuriozët e historisë, të mistikes, të një kohe të largët që ka lënë veçse tek-tuk gjurmë tek e sotmja, është e para ndalesë para se të shtyhesh më tutje. Ngjitim rrugicën që të çon drejt manastirit, degëzim që merr fill në rrugën kombëtare Lushnjë-Fier. Portën e hap kujdestari e njëkohësisht ciceroni i këtij manastiri. Shumë gazetarë të bërë bashkë dhe prania e kamerave e shtyn në çaste mëdyshjeje. Ardenica është destinacioni i parë i një udhëtimi të organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me gazetarët, kur qytetet kanë lajmëruar hapjen e sezonit turistik. Teksa të lë të sodisësh nga jashtë, me të hyrë në brendësi të kishës, ciceroni nis të tregojë historinë që zë fill diku në shekullin XIII. Tregon për arkitekturën, ikonografinë, klerikët...Manastiri i Ardenicës është bërë shpeshherë objekt shkrimesh për ngjarje “të bujshme” që kanë ndodhur në të: kurorëzimi i martesës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, ngritja e një qendre arsimi e më 1932 djegia e bibliotekës me mijëra libra, për kthimin e saj në vitet ‘70 repart ushtarak e deri edhe si manastiri i vetëm ku në ditët e sotme jetojnë murgj. Janë katër, të shkolluar në shkollën teologjike të Durrësit. Në këtë manastir, ashtu si edhe në monumente të tjera të rëndësishme, diktatura ka shkruar historinë e saj. Në brendësi të kishës, në funksion edhe sot për rite fetare, në pjesë të konsiderueshme, pikturat murale janë zhdukur. “Ushtarët kanë kryer dëme të mëdha”, thotë ciceroni. Turistët e kanë bërë pjesë të guidave të tyre Manastirin e Ardenicës. Disa syresh, anglezë, ngjiten teksa zbresim. Apolonia është ndalesa e radhës. Manastire, rrënoja antike, kala, monumente janë pjesë e atij turizmi kulturor që së fundmi po i vihet shumë theksi. Në Apoloni gjejmë edhe ekspeditën shqiptaro-franceze, takojmë profesorët Jean-Luc Lamboley dhe Faik Drinin për palën shqiptare. Në fakt nuk janë për gërmime, por për studimin e rezultateve të një viti më parë. Ndërkohë, në banesën me peristil, po në kuadrin e kësaj ekspedite, specialisti i Institutit të Monumenteve, Agron Islami ka nisur punën konservuese mbi mozaikun. Parku i dytë Arkeologjik më i madh në vend, Apolonisë nuk i mungojnë problemet që kanë të bëjnë me konservimin apo me restaurimin e monumenteve që u serviren turistëve. Ndonëse çdo vit është folur për rritje të buxhetit që shkon për monumentet, nevojat mbeten të mëdha e nga ana tjetër kemi ende një sistem trashëgimie që mbetet edhe sot i diskutuar e për të cilin në zyrat e Ministrisë së Kulturës vazhdojnë të bëhen mbledhje, me synimin për të gjetur një formulë që mund të funksionojë në Shqipëri. Probleme të përfshirjes optimale që një monument mund të ketë në guidën turistike gjejmë edhe në kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo. Lidhur me një figurë të njohur të historisë, në një pozicion gjeografik të admirueshëm, kalaja ka mbetur e pashfrytëzuar në sensin muzeor. Gjen vetëm mure, dhoma që i ngjajnë një labirinti të vërtetë dhe një histori të rrëfyer nga ciceroni. Specialistët sqarojnë se janë duke u menduar projekte për ta bërë më atraktive. Në fakt, për aq sa mund të rrokësh në këtë udhëtim, nuk mungojnë as bukuritë natyrore e as resurset turistike. Nga Vlora në drejtim të Porto Palermos sheh një bregdet për t’u admiruar, një pamje që të bën ta shijosh në heshtje teksa zbret Llogoranë. Rrugës takojmë mjaft turistë të huaj, disa të thonë se kthehen për të disatën herë, e të tjerë afrohen edhe për t’i ndihmuar në drejtimin që duhet të ndjekin. Në Orikum sheh të ngritur një kompleks turistik të organizuar, ndërkohë që kryetari i Bashkisë Kanan Braho, foli për investime të reja në infrastrukturë. Disa i sheh të përfunduara e të tjera në nisje e sipër. Në një takim të posaçëm të organizuar disa kohë më parë në Ministrinë e Kulturës me operatorët turistikë, ministri Ferdinand Xhaferaj tha se do të bënin ç’të ishte e mundur që shërbimi turistik të përmirësohej për këtë sezon. Por turizmi në vendin tonë vazhdon të vuajë probleme të trashëguara. Këtë e prek çdo turist. është e dukshme qoftë edhe në cilësinë e shërbimit, ku për vet mënyrën se si kanë funksionuar gjërat në këto 20 vjet, ndodh që kontrolli të bëhet i pamundur. Në takimin me operatorët turistikë, ku ministri Xhaferaj dëgjoi personalisht ankesat dhe sugjerimet, theksoi se puna më e madhe që do të bënte kjo ministri do të ishte ndryshimi i ligjit “Për turizmin”. Jo më larg se dje është zhvilluar një mbledhje në këtë ministri, pikërisht për këtë qëllim. Sigurisht që askush nga ne s’do ta besojë se kjo do t’i japë fund një herë e mirë problemeve të bartura ndër vite. Por presim që gjërat të nisin të ndryshojnë. Që Shqipëria të jetë një destinacion turistik i matur me shijen që përftojnë ata që zgjedhin ta vizitojnë se sa me shifra.
#