Militanti demokrat plagos 6 veta në festën e fitores së PS
Përgjaket festa e fitores së Partisë Socialiste në komunën Dardhas të rrethit të Pogradecit. Gjashtë persona janë plagosur në fshatin Grunjas teksa kanë qenë duke festuar fitoren e kandidatit “Aleanca për të Ardhmen”, Aleksandër Çela. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ndësa dhjetëra simpatizantë të së majtës kanë qenë duke festuar në qendër të fshatit në një atmosferë me fishekzjarre, brohoritje dhe duartrokitje, një nga militantët e PD ka prishur festimet kur ka qëlluar në ajër me çifte për disa herë me radhë.
Fatmir Pere ka marrë armën e gjahut, duke përfituar edhe nga errësira dhe pasi të majtët janë mbledhur në sheshin e fshatit, ka qëlluar me breshëri, ndërsa saçmat janë shpërndarë mbi turmën dhe kanë plagosur të paktën 6 persona. Banorët tregojnë se 35-vjeçari ka qenë i pirë dhe gjithçka ka ndodhur pas fitores së të majtës në komunën që njihej si bastion i PD-së.
Policia ka bërë të ditur se 35-vjeçari Fatmir Pere ka qëlluar në ajër duke shkaktuar plagosjen e lehtë të gjashtë personave nga fshati, mes të cilëve edhe adoleshnetë dhe gra. Të plagosurit janë transportuar në spitalin e Korçës edhe të Pogradecit, ndërsa kanë dëmtime të lehta, kryesisht djegie në kokë dhe fytyrë.
Ndërkaq, një tjetër banore e fshatit, e afërme me autorin e ngjarjes Majlinda Pere e tensionuar nga situata e mbrëmshme në këtë fshat tha se gjithçka ishte e organizuar politikisht.
Ndërkaq, banorë të tjerë, të pranishëm në festën e orëve të vona thanë se gjithçka po zhvillohej normalisht dhe kandidati fitues ishte duke falenderuar elektoratin e fshatit.
Kreu aktual i Komunës, Rushan Çela, i cili rikandidonte për një mandat të dytë, por edhe kandidati fitues Aleksandër Cela nuk kanë pranuar të japin shpjegime në lidhje me këtë ngjarje. Sipas policisë, të dëmtuarit kanë marrë plagë të lehta dhe gërvishtje. Mes të plagosurve kanë qenë krahas 16-vjecarit Klinton Çela, Ildi Shkullaku, Xheni Liço, Flora Pere dhe 18-vjecari Mondi Beleshko. Policia ka arrestuar 35-vjecarin për plagosje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.
SHEKULLI