Milloshoski:Greqia, betejë diplomatike kundër Maqedonisë

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski deklaroi se, Greqia po zhvillon një betejë të ashpër diplomatike kundër identitetit maqedonas. Sipas ministrit, fshirja e termit maqedonas nga Raporti i fundit i PE-së, është rezultat i diplomacisë agresive greke dhe hapat, të cilat i ka ndërmarrë ajo, veçanërisht pas Samitit të NATO-s në Bukuresht. Mbështetja e disa europarlamentarëve nga Bullgaria për amendamentet dhe qëndrimet greke, për ministrin Milloshoski nuk janë politikë e organizuar, por vetëm raste individuale. "Republika e Maqedonisë ka një problem më serioz dhe një vend, i cili në çdo mënyrë krijon pengesa. Shumica e vendeve të Bashkimit Europian si dhe shumica e europarlamentarëve kanë dëshirë dhe qëllim serioz dhe të sinqertë që Republika e Maqedonisë sa më shpejtë ta marrë vendin e merituar në familjen evropiane", tha Milloshoski. Duke u përqëndruar në procesin për zgjidhjen e kontestit për emrin, si spekulime i vlerësoi informacionet e caktuara se është arritur ndonjë marrëveshje, e cila duhet t`i kumtohet opinionit disa muaj pas zgjedhjeve. "Ajo që mund ta themi është e njohur për opinionin. Procesi po vazhdon në Kombet e Bashkuara nën ndërmjetësimin e Methju Nimicit. Ne nuk jemi të lumtur që ai po zgjat 20 vite me radhë, por Maqedonia po e paguan çmimin real për ekzistimin e këtij kontesti, i cili vlerësoj se është i imponuar nga Greqia pa arsyetim të posaçme dhe është tepër irracional. Mos pasja e zgjidhjes është rezultat i mospasjes së pragmatizmit dhe ndjenjës për realitet në rajonin tonë nga ana e disa politikanëve të caktuar në Republikën e Greqisë", theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë. Ai ka shtuar se raportuesi i ardhshëm për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian duhet të jetë eurodeputet i cili gëzon autoritet dhe reputacion.