Harxhi: Shqipëria, si gjithë vendet e tjera europiane

Zv. ministrja e jashtme Edith Harxhi ka deklaruar se Shqipëria ka treguar se mund të menaxhojë tensionet politike dhe shoqërore që vijnë me demokracinë.
Në një intervistë për agjensinë amerikane SETimes, Harxhi ka theksuar se politika e jashtme e Shqipërisë është mbështetur në dy gjëra: marrëdhëniet miqësore me fqinjët dhe ndjekja e integrimit euro-atlantik.
Harxhi ka deklaruar se demonstrate e dhunshme e 21 janarit ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë.
.“Nëse do të më bëhej kjo pyetje më 22 janar apo më 10 shkurt apo madje edhe në fund të shkurtit, do të kisha thënë, siç thashë atë kohë, se imazhi ishte dëmtuar rëndë. Mendoj ndryshe sot. Mendoj se Shqipëria më së fundi arriti të vërtetojë se është një vend tjetër europian, si çdo vend tjetër europian, që ka patur në disa momente, eksese politike apo shoqërore, për arsye të ndryshme. Në Shqipëri, eksesi ishte politik, i shkaktuar nga opozita, por Shqipëria ka treguar se ishte në gjendje të menaxhohej”, thekson zv.ministrja e jashtme
Duke iu referuar zgjedhjes së presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, Harxhi ka theksuar se zgjedhja e saj ishte diçka e re dhe një fitore e madhe jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu për gratë që janë aktive në jetën shoqërore dhe politike në rajon.
“Mendoj se një person si Atifete Jahjaga është personi i duhur për të drejtuar një vend”, ka thënë Harxhi.
Harxhi ka komentuar edhe ftesën që Tirana zyrtare i ka bërë presidentit serb Boris Tadiç, për të vizituar Shqipërinë.
“Presidenti i bëri një ftesë zotit Tadiç disa muaj më parë, në dhjetor 2010. Fatkeqësisht, edhe tani, nuk kemi asnjë përgjigje. Mendoj se do të ishte më mirë për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë që të kemi një përgjigje nga zyra e Presidentit Tadiç lidhur me ftesën dhe kohën e vizitës së tij në Shqipëri. Megjithatë, mendoj se ka vullnet të mirë nga të dyja palët, jo vetëm për këtë vizitë, por gjithashtu për çështje të tjera përparësore gjatë dy deri tre vitet e fundit”, ka thënë Harxhi.