Milo: Disfata e së majtës, arkitektë janë krerët e PS
Aristir Lumezi
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, akuzoi komisionerët e PS-së se kanë tjetërsuar votat e kësaj partie gjatë numërimit. Në një analizë që i bën eliminimit të partive të vogla në këto zgjedhje, Milo radhit një sërë arsyesh, mes të cilave dhe Kodin Zgjedhor i cili sipas tij, kishte edhe këtë objektiv, eliminimin nga Parlamenti të partive të vogla. “Neve na u servir një Kod Zgjedhor që do eliminonte abuzimet, por në të vërtetë pati shumë abuzime në këto zgjedhje. PDS i janë marrë vota në tavolinë. Votat e të afërmve të mi, në Vlorë, Tiranë nuk figurojnë gjëkundi. Komisionerët e PS dhe PD kanë manipuluar mes tyre votat e partive të vogla, duke i munguar për partitë e tyre. Kjo ka qenë një strategji që e kanë zbatuar për të gjitha partitë e vogla. Eliminimi i partive të vogla u bë në mënyrë të pandershme, të paktën këtë eliminim ta kishte bërë vota e shqiptarëve dhe jo orekset e partisë më të madhe të së majtës”, u shpreh Milo. Partia Demokracia Sociale shprehet se i është cenuar vota e saj në qarkun e Tiranës, ku në krye të listës ishte sekretari politik i saj, Artur Duçkallari, në Vlorë ku ishte vetë kreu i saj, Milo, por dhe në qarqe të tjera ku ajo pretendonte të fitonte mandate. Milo u shpreh se sistemi zgjedhor i hartuar pikërisht për të eliminuar partitë e vogla, me një paramendim përjashtues. “Rezultatet tona i diktuan nga një sistem dhe Kod Zgjedhor të njëanshëm. Ne si parti e kemi kontestuar që në fillim të hartimit të tij, ndërsa kërkesa jonë ishte për një sistem proporcional kombëtar me prag të përcaktuar. Nga Partia Socialiste na u imponua sistemi proporcional rajonal. Ky sistem e futi të majtën në një luftë të brendshme, siç dhe u vërtetua që prej miratimit të Kodit Zgjedhor dhe gjatë fushatës zgjedhore”, tha Milo. Ai u shpreh se ky sistem u projektua nga përfaqësues të lartë të PS-së. “Arkitektët e disfatës sonë, por dhe të të gjitha partive të vogla janë brenda Partisë Socialiste. Ata gjetën me vështirësi dhe hartuan një projekt-sistem dhe një projekt-Kod Zgjedhor për interesat e ngushta personale por dhe partiake, që i shkaktuan një dëm shumë të madh elektoratit të majtë, PS dhe të majtës në përgjithësi. Mua më vjen keq për kryetarin socialist, zotin Rama, i cili ra viktimë e disa njerëzve që i prodhuan dhe i ofruan atij një sistem që do t’i bënte keq, siç dhe i bëri Partisë Socialiste. Ai pa i njohur mirë sistemet zgjedhore, por dhe i gënjyer nga lajkat e këtyre arkitektëve, ra në grackën e tyre por duke futur në grackë të gjithë të majtën dhe bashkë me të edhe PS-në”, tha Milo.
Koalicioni
Kreu i PDS-së u shpreh dje se koalicioni i majtë ka qenë formal, duke akuzuar PS-në dhe Edi Ramën se ndërtoi një koalicion fiktiv, të cilin nuk e respektoi dhe gjatë fushatës elektorale. “Një tjetër arsye pse partitë e vogla të majta por dhe vetë koalicioni majtë mori këtë rezultat, ishte dhe mosfunksionimi i koalicionit. Koalicioni ynë u ndërtua me nxitim, pasi Rama e çoi deri në ditën e fundit që duhej të deklarohej konstituimi i koalicionit. Nuk pati një platformë mes partive të koalicionit. Unë nuk pata kohë të lexoj edhe marrëveshjen që na solli PS dhe që u firmos në mënyrë të stampuar. Unë personalisht isha në Sarandë dhe shkoi në këtë kostituim të koalicionit sekretari Politik i PDS-së, sepse vetë ndodhesha në Sarandë. Kisha bindjen tek Partia socialiste dhe koalicioni ynë. Edhe partitë e tjera të koalicionit kanë firmosur në mënyrë të paditur dhe pa një platformë bashkëpunimi”, tha Milo. Sipas tij, nëse do shohim në kampin e djathtë, Partia Demokratike lidhi marrëveshje të posaçme me secilin aleat, në mënyrë publike, ndërsa Partia Socialiste nuk e bëri një gjë të tillë. Prandaj them se bazat e ndërtimit të koalicionit tonë ishin fiktive. Por Milo akuzoi PS se i është drejtuar elektoratit të majtë të mos votojnë PDS. “Në këtë fushatë partitë politike të koalicionit tonë nuk ishin asnjëherë bashkë, por të shkëputur më vete. Partia socialiste nuk foli asnjëherë për koalicionin. PS i është drejtuar elektoratit që të votojë vetëm për partinë e vet. Madje nga eksponentë të PS-së, janë drejtuar elektoratit duke i thënë se “vota për aleatët është votë për Sali Berishën”. Është bërë presion për të mos votuar aleatët. U mbyll fushata me një pikëpyetje të madhe nëse kemi koalicion apo jo”, tha Milo.
Partitë e vogla
Zgjedhjet e 28 qershorit eliminuan nga parlamenti partitë e vogla dhe krerët e tyre, një pjesë e të cilëve janë në politikën shqiptare që me nisjen e pluralizmit. Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Neritan Ceka, Ndoka, Xhuveli, Nikollë Lesi, Dashamir Shehi, Arjan Starova, por dhe më të rinjtë, si Erion Veliaj nuk do të jenë në Kuvendin e Shqipërisë. Shumica e drejtuesve të partive që nuk kanë mundur të hyjnë në Parlamentin e ardhshëm janë shprehur se arsyeja kryesore e këtij dështimi ka qenë Kodi Zgjedhor që i persekutonte ato.