E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Mandati im, për Berishën, Meta: LSI nuk ndryshon qëndrim, jo lojës me kutitë e fundit

 

Aristir Lumezi

Deputeti i LSI-së Dritan Prifti u shpreh dje i gatshëm të bashkëpunojë me PD-në për të formuar qeverinë e re. Këtë deklaratë Prifti e bëri gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, ku shpjegoi arsyet pse mund të bashkonte votën e tij me qeverinë e së djathtës. “Mandati im është kundër Edi Ramës. Nëse Sali Berisha do të ketë 70 mandate dhe do t’i duhet mandati im për të bërë maxhorancën, unë do t’ia jap këtë mandat. Por mandati im do të jetë me një kusht, që të miratojë menjëherë pas nisjes së punës së Kuvendit të një ligji që do të hetonte këto zgjedhje dhe do të dënonte të gjithë ata që kanë vënë dorë mbi votën. Janë të njëjtat fytyra që më vodhën votën edhe në 2005, janë të njëjtat fytyra që më vjedhin dhe në 2009”, tha Prifti. Sipas tij, “PS ka luftuar shumë në qarkun e Fierit që unë të mos dilja si deputet. Unë kam marrë mbi 25 mijë vota në qarkun e Fierit dhe më janë numëruar 11500 vota. Është bërë një luftë e paprinciptë ndaj LSI-së me para në dorë. LSI është e vetmja forcë politike që vendos krijimin e qeverisë. Ne nuk jemi të papërgjegjshëm që të lejojmë vendin të shkojë në kriza politike dhe zgjedhje të njëpasnjëshme”.
Meta
I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, kreu i LSI-së, Ilir Meta, i pyetur rreth deklaratës së Dritan Priftit, u shpreh se “nuk ka ndryshime në qëndrimin tonë. Vendimet politike do të merren pas shpalljes së rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”. Kreu i LSI-së i bëri apel me këtë rast edhe kreut të PD-së, që të mos cenojë votat e panumëruara. “Berisha të heqë dorë nga loja me votat e kutive të fundit të panumëruara”, tha Meta. Deputeti i LSI-së Dritan Prifti tregoi dje se mandati i tij rrezikohej për shkak se komisionerët socialistë i manipulonin votat e tij. “Në Fier në këto zgjedhje janë dhënë 100 euro në dorë nga deputetët e PS-së për të mos votuar LSI. Sot unë nuk do të kisha dalë deputet, nëse dy ditë më parë nuk do dilja në një konferencë për shtyp dhe deklarova se “s’do bëja aleancë me Edi Ramën, sepse komisionerët e PS po më vjedhin votat. Kjo deklaratë ka bërë që në komisionet e numërimit të vijë një sms, ku u thuhej që të numërohet dhe ruhet vota e LSI-së. Vetëm në këtë mënyrë unë arrita të garantoj votat e mia dhe të marr mandatin tim të merituar”, tha Prifti. Ndërsa deputeti tjetër i LSI-së që doli fitues në këto zgjedhje në qarkun e Durrësit, ish-kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Lefter Koka, e cilësoi deklaratën e kolegut të tij emocionale.
“Do jenë forumet që do të vendosin për koalicionin. Programi ynë është më afër atij të PS-së. Vendimi që do të marrim do të jetë i kryesisë. Ishte një deklaratë emocionale e zotit Prifti. Në këto zgjedhje PS harroi se cilin kishte kundërshtar politik, PD apo LSI-në. Kodi Zgjedhor u bë nga dy njerëz, nga Rama dhe Berisha dhe kryetarët e partive të vogla që e mbështetën këtë kod i vetëndëshkuan prej tij. Kodi u bë që të eliminohej LSI-ja, ndërsa zoti Rama nuk dha një mesazh bashkimi të së majtës, përkundrazi kërkoi ta njësojë votën ndaj LSI-së si votë ndaj Berishës. Do bashkohesha me PS në qeverisje por do dëshiroja që Rama të mos ishte në krye të PS-së”, tha Koka.

Mandatet
Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi katër mandate në zgjedhjet e 28 qershorit. Një deputet në qarkun e Tiranës, me kryetarin e saj Ilir Meta, një deputet në qarkun e Fierit, Dritan Prifti, një deputet në Qarkun e Beratit, Nasip Naço, dhe një deputet në qarkun e Durrësit me Lefter Kokën. LSI pati pretendime edhe për një deputet në Qarkun e Tiranës, por dhe në Qarkun e Beratit, Fierit dhe Elbasanit, ku u s’kualifikua për shumë pak vota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›