E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Koalicion me LSI me standarde evropiane

 

Partia Socialiste do të realizojë negociata me LSI-në, bazuar në standarde evropiane. Kështu deklaroi anëtari i kryesisë socialiste Pandeli Majko gjatë një emisioni televiziv, duke u shprehur se bisedimet për qeverisjen e ardhshme, në rast se koalicioni i majtë fito,n do të jenë të bazuar në standarde. Majko u shpreh i sigurt se në përfundim të këtyre zgjedhjeve do të kemi një qeveri të majtë. “Edhe pse numrat janë të tillë, nga e gjithë e majta duhet të jetë e qartë se nuk duhet të ketë bashkëpunim me Sali Berishën. Negociatat mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jenë të standardeve evropiane. Pas 28 qershorit do të kemi një realitet të ri në të majtën shqiptare”, tha Majko. Anëtari i kryesisë socialiste, dy herë kryeministër i vendit, u shpreh se nuk beson në një bashkëpunim të LSI me PD, por as dhe në një bashkëpunim për një qeveri me bazë të gjerë të Partisë Socialiste me Partinë Demokratike. Majko hodhi akuza për manipulim votash në disa qendra votimi. “Nëse ka kuti ku rezultati është 300 vota pro PD dhe zero vota për partitë e tjera, do kërkohet hetim dhe të gjithë ata që e kanë bërë këtë duhet të shkojnë për ndjekje penale”, tha Majko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›