E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: Jemi të shqetësuar nga indiferentizmi i PS. Meta: Një sistem zgjedhor transparent garanton lirinë e votës

22-11-2011 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore - partitë e treta unifikojnë qëndrimet 

Partitë e vogla opozitare dhe të mazhorancës u mblodhën dje në një tryezë të përbashkët ku edhe dolën me një qëndrim të përbashkët për reformën e re zgjedhore. Krerët e dhjetë partive politike i kërkojnë dy partive të mëdha PD-PS që të marrin parasysh kërkesat e tyre në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore që pritet të nisë nga puna në fund të kësaj jave. Në fjalën e tij kreu i PDS-së Paskal Milo ka theksuar se kjo tryezë nuk ka ndonjë prapavijë tjetër përveçse shqetësimit për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se “LSI është e hapur për një sistem zgjedhor transparent që garanton lirinë e votës”. Sipas tij, kjo duhet të jetë një reformë e cila duhet të ketë në themel barazinë e votës ndërsa shtoi se LSI-ja është kundër listave të mbyllura pasi dëmtojnë parlamentarizmin. “Nuk ka përse vota e një kryetari në një qark të ketë më shumë rëndësi se vota e një kryetari në qark tjetër të vendit”- u shpreh Meta.
Ndërsa shtoi se më e rëndësishmja në këtë reformë është forcimi i besimit të qytetarit tek vota e tij. Nga ana e tij, kreu i PR-së Fatmir Mediu theksoi se partitë e vogla përbëjnë 20% të elektoratit dhe të gjitha duhet të kenë mundësinë për të monitoruar procesin e zgjedhjeve. Për kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi “ndryshimet në reformën zgjedhore do të bëjnë të mundur prishjen e polarizimit artificial që është krijuar”.
Të gjitha partitë politikë kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, në proporcional kombëtar, për të bërë të mundur numërimin e të gjitha votave si të vlefshme në të gjithë vendin. Gjithashtu ato kërkojnë të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore për sa kohë që këto komisione do të jenë propozime të partive politike.
Alibeaj: Do respektojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR/Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj shprehet se lidhur me diskutimet e reformës së ardhshme zgjedhore, axhendë pune do jenë rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR. Alibeaj sqaroi, duke iu referuar bisedimeve të partive për ligjin e ri elektoral, se Partia Demokratike nuk ka patur ndonjë strategji “nën mëngë” që nuk ka qenë transparente. “Ajo që është e rëndësishme për ne të PD-së është respektimi i parimeve të OSBE-ODIHR-it gjatë kryerjes së reformës zgjedhore” - tha ai. Deputeti demokrat sqaroi gjithashtu edhe problematikën e lindur në qarkun e Fierit, gjatë konstituimit të këshillit të qarkut. “Asgjë e veçantë nuk ka ndodhur në Qarkun e Fierit. Ajo që po ndodh është vetëm konstituimi i këtij organizmi të pushtetit vendor”- tha ai, duke theksuar se kryetari i Qarkut, Artan Shehu është zgjedhur me votim të 96 anëtarëve. “Është përhapur një legjendë urbane, se ky qark i përket së majtës, gjë që nuk është fare e vërtetë”- tha ai. Duke shpjeguar se nga 6 këshilla, 5 prej tyre dominohen nga “Aleanca për Qytetarin”. E duke iu referuar deklaratave të kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ai tha se “është absurde të kushtëzosh një pak kombëtar”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›