Investitorët izraelitë, interes për të investuar në Shqipëri
Kryeministri Berisha takon Ministrin e Energjisë, Ujit dhe Burimeve Natyrore të Izraelit, Uzi Landau
Kryeministri Berisha, zhvilloi paraditen e djeshme një takim me Ministrin e Energjisë, Ujit dhe Burimeve natyrore, Uzi Landau. Ministri Landau shprehu kënaqësinë që priste Kryeministrin shqiptar, në një takim, i cili do t’i shërbejë forcimit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Ministri Landau i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar për mbrojtjen dhe strehimin që ata u ofruan hebrenjve të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i shpëtuar nga terrori nazist. Kryeministri Berisha u shpreh se qëllimi i kësaj vizite është forcimi i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe kombeve dhe zgjerimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha e njohu zotin Landau me potencialet e jashtëzakonshme që Shqipëria ofron në sektorë si ai i energjisë, infrastrukturës, turizmit, bujqësisë, etj. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se Shqipëria, si një vend i pasur me burime ujore, mirëpret investimet e huaja në këtë fushë, si për prodhimin e energjisë hidrike, ashtu edhe për sistemet e përpunimit te ujërave apo të ujitjes për qëllime të bujqësisë, etj. Kryeministri theksoi se rreth 443 HEC-e pritet të ndërtohen në Shqipëri dhe se qeveria shqiptare do të mirëpresë investitorët izraelitë për të marrë pjesë dhe për të ndërtuar në Shqipëri historitë e tyre të suksesit, në fushën e prodhimit të energjisë, por edhe në fusha të tjera. Kryeministri theksoi se Shqipëria ofron gjithashtu potenciale të mëdha për investime në sektorin e infrastrukturës, turizmit, industrisë minerale, etj, të cilat nga dita në ditë po tërheqin gjithnjë e më shumë investitorë të huaj. Nga ana e tij, ministri i Energjisë i Izraelit, Uzi Landau, pasi u njoh me potencialet e ofruara nga Shqipëria në fusha të ndryshme, ri-konfirmoi dëshirën dhe interesin e investitorëve izraelite për investime në vendin tonë, si dhe gatishmërinë e palës izraelite dhe ndërmarrjeve publike e private të Izraelit për të shkëmbyer eksperiencën e tyre me specialistët shqiptarë në këtë fushë, si dhe për t’i drejtuar investimet e tyre ne Shqipëri. Izraeli ofron një eksperiencë të pasur në sektorin e menaxhimit të ujërave dhe kanalizimeve, infrastrukturës, etj, eksperiencë, të cilën jemi të gatshëm ta ndajmë me kënaqësi me kolegët shqiptarë, u shpreh ministri Landau. Berisha u shpreh se kompanitë izraelite dhe përvoja e tyre e gjerë në fushën energjetike janë të mirëpritura në Shqipëri dhe se e njëjta ftesë i bëhet ekspertizës në fushën e energjisë gjeotermike, diellore dhe të erës, si dhe praktikave më të mira në fushën e ujitjes, për të cilat Shqipëria paraqet interes të veçantë. Gjatë këtij takimi të dy bashkëbiseduesit rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për të nxitur dhe thelluar bashkëpunimin në të ardhmen në të gjitha këto fusha. Kryeministri Berisha e ftoi ministrin Landau të vizitojë Shqipërinë dhe nga ana e tij ministri izraelit Landau u përgjigj se do të vizitojë këtë vend mik me shumë kënaqësi. Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Lieberman darkë mirëseardhje për Kryeministrin Berisha Me rastin e vizitës së Kryeministrit Berisha në Izrael, zv/kryeministri dhe ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Avigdor Lieberman, shtroi një darkë mirëseardhjeje për nder të tij dhe delegacionit që e shoqëronte, bëri të ditur zyra e shtypit e kryeministrisë. Gjatë darkës u vlerësua vizita e Kryeministrit Berisha si një kontribut i rëndësishëm në zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimit midis dy qeverive e vendeve. Zv/Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman, i dha Kryeministrit Berisha lajmin e mirë se së shpejti Izraeli do të hapë ambasadën e tij në Tiranë.
...