E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Polici me bazë etnike? Propozim emocional

Kreu i PDS-së kërkon t'i lihet kohë drejtësisë: "Ka informacione që konflikti ka në prapaskenë interesa ekonomike"


Kërkesa për ristrukturimin e Policisë së Shtetit në zonën e Himarës duke përfshirë në radhët e saj minoritarë, është një kërkesë emocionale.


Kjo është ajo që deklaron ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo në një intervistë për gazetën "Shekulli". Kreu i PDS-së thotë se në përbërjen e policisë nuk duhet të merret si kriter përkatësia etnike dhe rajonale dhe mbi të gjitha, policia duhet të jetë e përgjegjshme dhe efektive për të parandaluar krimet.


Lidhur me deklaratat e politikanëve grekë të cilët i kanë kërkuar KE-së që ngjarja në Himarë të merret parasysh në rezolutën që do të përgatitet për vendin tonë, ai i quan ato të nxituara.


Në Himarë humbi jetën një shtetas. Ka një reagim të fortë të komunitetit vendas, ndërkohë që klasa politike shqiptare tregohet memece. Përse kjo heshtje?


Nuk mendoj se klasa politike nuk ka reaguar. Kam këtu parasysh deklaratën e Kryeministrit Berisha dhe përfaqësuesve të partive të tjera politike që i kam ndjekur përmes medias. Por nuk duhet të merremi gjithë kohës me një ngjarje që i takon drejtësisë shqiptare që ta zbardhë një orë e më parë përtej emocioneve të natyrshme që krijohen nga një krim, që nga të gjitha pikëpamjet, është i papranueshëm.


Partia Demokracia e Re në Greqi ka deklaruar se do t'i propozojë KE-së që kjo ngjarje të paraqitet si dhunë ndaj minoritarëve. Mendoni se po merr më shumë ngjyrime etnike se sa duhet?


Ende nuk jam i informuar zyrtarisht, sepse kjo i takon organit të hetimit. Para së gjithash, duhet të jem shumë i qartë se e kam dënuar dhe e dënoj këtë krim. Mendoj që nuk duhet të ketë dilema për ta dënuar deri në fund këtë krim të shëmtuar, pavarësisht se kundër kujt dhe se nga kush u bë.


Pastaj çdo ngjarje që ka të bëjë me statusin e emigrantëve apo të qytetarëve që banojnë në Himarë, është një çështje tjetër dhe ajo ndahet nga ngjarja që ka ndodhur, pavarësisht se thuhet se motivet e krimit janë ato të divergjencave që kanë pas të bëjnë me gjuhën e komunikimit.


Ka informacione të tjera që i takojnë organit të policisë, që vijnë nga vetë terreni, se në këtë rast ka pasur një grindje disaditore, prapa së cilës fshihen interesa ekonomike dhe që kanë qenë pikërisht ato që kanë çuar në grindje dhe që ka arritur në këtë përfundim tragjik. Me pak fjalë, nuk duhet të keqinterpretohet ngjarja.


Duhet të lëmë organin që hetimi të përfundojë procesin. Këtë ua këshilloj edhe deputetëve të opozitës greke të Demokracisë së Re të cilët në mënyrë shumë të nxituar dhe emocionale u përpoqën që t'i japin përmasa evropiane një çështjeje për të cilën akoma nuk e kanë thënë fjalën e tyre organet e drejtësisë.


Pak kohë më pare, ndodhi vrasja e një shqiptari në Greqi nga disa të rinj grekë dhe klasa politike nuk reagoi zyrtarisht. A vuan ende klasa jonë politike nga ndjenja e inferioritetit?


Nuk besoj se është çështje inferioriteti.


Është çështje motivesh. Ne ndoshta na mungojnë dy gjëra: e para informacioni i saktë dhe i shpejtë për çka ndodh dhe si ndodh; e dyta motivet nga është nisur kjo vrasje. Nëse është një vrasje ordinere siç po ndodh rëndom, kjo nuk ka një dimension politik.


Ndërkohë, ajo që ndodhi në Himarë, nëse ka një bazament politik, etnik, racor etj të kësaj natyre, është shqetësuese. Unë uroj që kjo të mos jetë e vërtetë. Siç ju thashë, ka shumë të dhëna që në mes të kësaj qëndron një çështje rivaliteti dhe konkurrence për klube nate.


Dy ditë më pare, kreu i PBDNJ-së hodhi idenë e ristrukturimit të policisë në këtë zonë ku në përbërje të saj të përfshiheshin edhe minoritarë...


Këto janë propozime emocionale, propozime që duken se artikulohen me shumë përgjegjësi. Shqipëria është shtet unitar dhe nuk është shteti i kohës së princ Vidit dhe i Haxhi Qamilit kur asaj i imponohej protokolli i Korfuzit me xhandarmëri lokale me prejardhje fetare të zonës etj.


Këto janë mentalitete që duhet të kapërcehen në Shqipërinë e shekullit XXI. Jemi një Shqipëri që kërkon që të integrohet në Evropë. Shqipëria nuk mund të kantonizohet.


Është një ide tashmë që është në kundërshtim me procesin integrues ku jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani kërkon ta bëjë sa më shpejt dhe me sukses.


Policia duhet të jetë shumë e përgjegjshme dhe shumë efektive, aq më tepër kur ajo paralajmërohet për ekzistencën e një konflikti që mund të degjenerojë në një krim, siç ndodhi në këtë rast.


Pra, duhet të kemi vetëkujdes dhe të interesohemi që të investojmë shumë në Policinë e Shtetit që ta bëjmë atë një instrument të ruajtjes së rendit dhe të sigurisë së qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe rajonale se sa të merremi me ide të cilat nuk janë të kohës dhe që na kthejnë mbrapa në kohë.


******************

Idrizi: Të shqetësuar për reagimet e qarqeve të minoritetit grek


Kemi ndjekur nga afër reagimet pas aktit tragjik të aksidentimit për vdekje të një qytetari në qytetin e Himarës.


Dua që të shpreh në emër të PDU-së ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes Gumi për humbjen e njeriut të tyre dhe i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të veprojnë me drejtësi dhe në përputhje të plotë me faktet dhe me ligjet shqiptare për ndëshkimin e autorëve.


Nga ana tjetër, jemi të shqetësuar për reagimet e tipit nacionalist të drejtuara nga qarqe të minoritetit grek në Shqipëri, por edhe qarqe nacionaliste greke, të cilat cenojnë rëndë institucionet e pavarura shqiptare. Institucionet e drejtësisë duhet lënë të bëjnë punën e tyre në përputhje me parimet profesionale dhe ligjet e shtetit shqiptar.


Fqinjët tanë jugorë, drejtuesit e organizatave të minoritetit grek dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare duhet të vetëpërmbahen nga politizimi i këtij krimi dhe të respektojnë normat ndërkombëtare të mospërfshirjes në punët e brendshme të institucioneve të pavarura shqiptare. Politika t'i kërkojë institucioneve të zbardhin ngjarjen dhe të dënojë fajtorët sesa të merren me shkrim hartash dhe krimesh etnike.


Paragjykimi i këtij krimi si një krim me motive etnike, kur Policia e Shtetit, por edhe një pjesë e dëshmitarëve okularë pohojnë për të kundërtën, është shenjë e rëndë mosrespekti ndaj bashkëqytetarit tonë të ndjerë, Aristotel Guma.


Hirësia e tij, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, duhet të merret më shumë me lutjen për prehjen e shpirtit të bashkëqytetarit tonë dhe të shmanget ndaj deklaratave që paragjykojnë këtë akt.


Fatkeqësisht, ditët e fundit shpeshherë kemi dëgjuar raste vdekjesh dhe vrasjesh në mbarë Shqipërinë. Reagimi ndaj vetëm njërit prej rasteve të vdekjes së një bashkëqytetari shqiptar është së paku tendencioz; një disbalancë mes ngjarjes së dënueshme nga të gjithë dhe reagimit po aq të dënueshëm.


Ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që tentojnë të përfitojnë politikisht ose të dëmtojnë imazhin e vendit, të lutemi së bashku për shpirtin e Aristotel Gumës dhe të të gjithë personave të tjerë të vrarë padrejtësisht ditët e fundit, si edhe të kërkojmë nga drejtësia që të jetë e paanshme, joemocionale dhe e pavarur në gjykimin e çdo lloj krimi dhe të çdo të akuzuari.


Kreu i PBDNJ-së përmendi edhe gjyqin ndaj Bollanos, duke e cilësuar atë si një akt ndëshkimi ndaj individëve në minoritet


Dule për shtetasin me kombësi shqiptare: U vra se fliste gjuhën e nënës
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka fajësuar qeverinë për vdekjen e Aristotel Gumës, ditë më parë në Himarë, për të cilin akuzohet i riu vlonjat Ilir Muka.


Sipas Dules, edhe pse Berisha ka dënuar aktin, ai dhe qeveria që drejton, nuk kanë bërë sa mundet që të evitohej incidenti në fjalë. Kreu i PBDNJ-së u shpreh se deklarata e Kryeministrit shqiptari ishte si kofini pas të vjelit, siç e përkufizoi ai, duke dhënë të kuptuar se është bërë sa për të kaluar radhën nga ana e kreut të qeverisë.


Ai akuzoi qeverisjen e disa parti politike pa pranuar t'i përmendë me emra konkretë, se po nxisin një frymë pseudonacionalizmi ekstrem me urrejtjen etnike brenda.


Ai tha se janë shumë raste vitet dhe kohët e fundit, ku tolerohen disa veprime e akte që bëhen kundër minoritetit, ndërkohë që sipas tij, ndërmerren akte ndëshkimi për individë në minoritet, sapo mendohet se ata kanë kryer shkelje, dhe këtu ai përmendi rastin e gjyqit kundër kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano.


Dule tha gjithashtu se jo pa qëllim në strukturat policore të zonave minoritare nuk ka asnjë efektiv minoritar. Sa për incidentin që çoi në vdekjen e Aristotel Gumës, për të cilin nga prokuroria bëhet e ditur se ishte me kombësi dhe shtetësi shqiptare, Dule tha se sipas të dhënave që ai kishte, nuk dyshohej aspak se vrasja ishte monstruoze për shkak të urrejtjes etnike dhe se Aristotel Guma u vra vetëm sepse fliste gjuhën e nënës.


Ndërsa në lidhje me bllokimin e rrugës, ku me mijëra pushues u bllokuan me orë të tëra e qindra të tjerë fjetën nëpër makina, Dule tha se shpresohej se ishin mirëkuptuar prej personave që pa fajin e tyre, e paguan shtrenjtë me sfilitjen e pritjes me orë të tëra për t'u hapur një rrugë, që është ndërtuar dhe me taksat e tyre.


Edhe për bllokimin e punës për një orë në komunat minoritare, Dule tha se ky akt ishte tërësisht i justifikuar në emër të nderimit për viktimën dhe apelit për drejtësi, edhe pse komunat para se të jenë minoritare, janë pjesë e administratës shtetërore. Deklaratat e kreut të PBDNJ-së, u bënë gjatë një takimi të tij me banorë të fshatit minoritar Kostar, në Sarandë.


*****************

At Nikolla Marku: Janullatos po nxit racizmin


Famulltari i Kishës Autoqefale shqiptare "Shën Maria" në Elbasan ka reaguar për ngjarjen e Himarës dhe deklaratat e Bollanos dhe kryepeshkopit Janullatos gjatë ditëve të fundit.


At Nikolla Marku e ka quajtur kryepeshkopin nxitës të racizmit dhe të separatizmit. Ai u shpreh se Janullatos e Bollano cenojnë rendin publik dhe bëjnë që ngjarje të tilla të precipitojnë në dhunë.


Ai ka theksuar se duhet të pritet fjala e drejtësisë për këtë ngjarje e jo të dilet në përfundime që nuk ndihmojnë as familjen e të ndjerit, as Himarën dhe as shqiptarët. "Janullatos po bën atë që di të bëjë më mirë, të nxisë racizmin. Me deklaratat e tyre ata po cenojnë rendin dhe po krijojnë kaos.


Të gjitha palët duhet të heshtin e të presin drejtësinë dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes", u shpreh At Nikolla, i cili njihet për deklaratat e tij të ashpra kundër kryepeshkopit Janullatos duke e quajtur atë filogrek dhe aspak përfaqësues të ortodoksisë shqiptare.


Ndërpritet puna për një orë në komunat minoritare


Pas një thirrjeje të bërë prej kreut të partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, komunat minoritare si Dhrovjan, Livadhja, Aliko, Finiq e Mesopotam, dje paradite ndërprenë punën për një orë në shenjë proteste për vdekjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma, ngjarje e ndodhur të enjten mbrëma. Gjithashtu ndërprerja u punës nga ora 10:00 - 11:00 ndodhi edhe në komunat Dropull i Sipërm, Dropull i Poshtëm dhe Pogoni.


Edhe pse janë pjesë e administratës shtetërore, krerët e këtyrë komunave nuk e kanë parë të arsyeshme që të marrin qoftë dhe një leje formale nga ministria e linjës, por kanë vepruar krejtësisht në mënyrë të pavarur. Thirrjes së Dules i është përgjigjur dhe kryekomunari i Finiqit, Ziso Lluci, i cili ka krijuar së fundi partinë e re të minoritetit Mega, një oponente e PBDNJ-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›