E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antimafia, në sitë pasuritë e 150 personave

Krimet e Rënda dhe Policia e Tiranës, nisin verifikimet për pasuritë e të akuzuarve dhe të dënuarve për trafik drogë e prostitucion


TIRANE- Ligji Antimafia, i miratuar nga parlementi shqiptar vitin e kaluar i cili mori fuqi vepruese në janar, duket se iu ka "hapur jo pak punë", organeve të hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës si dhe drejtorive të tjera të policisë së qarqeve.


Që prej nisjes së veprimit të këtij ligji dhe plotësimit të tij me aktet e tjera normative, vetëm drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë nisur hetimin dhe verifikimin e pasurive për afërsisht 150 persona dhe subjekteve të ndryshëm.


Këta të fundit dyshohet se e kanë vënë pasurinë e tyre në rrugë të paligjshme, apo kriminale duke krijuar për veten të ardhura të pajustifikuara apo të fituara në rrugë të dyshimta.

Personat dhe subjektet që po hetohen për pasurinë e tyre dhe asetet e tyre, dyshohet se e kanë vënë atë apo janë pasuruar në rrugë të pandershme duke përdorur forma dhe veprimtari kriminale apo antiligjore.


Lajmi bëhet i ditur për "Shekullin", nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilët pohuan se një pjesë të procedimeve për nisjen e hetimeve ndaj personave të dyshuar se paratë e tyre i kanë nga të ardhurat e kimit, janë referuar në prokurori nga zyra e re e sapo krijuar.


Ndërkaq, sipas të njëjtave burime, mësohet se për pjesën tjetër të hetimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda iu ka deleguar atyre detyra për kryerjen e veprimeve konkrete në terren, si hetime, marrje deklarimesh dhe veprime të tjera operative.


Prokuroria sipas burimeve të policisë, ka kërkuar nga hetuesit e zyrës së re të sapo krijuar në strukturën e policisë gjetjen e fakteve dhe provave që hedhin dritë mbi pasurinë e personave të ndryshëm të arrestuar nga organet e drejtësisë, të hetuar apo edhe të dënuar për veprimtari kriminale kryesisht ato me tendencë të krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme, apo veprave penale në fushën e krimit ekonomik, si korrupsionit dhe kontrabandë etj.


Nga shifrat mësohet se rreth 70 për qind e emrave të personave dhe subjekteve për të cilët ka nisur hetimi, janë të përfshirë apo të dënuar për trafik droge në Shqipëri, apo jashtë vendit, vendimet e të cilëve janë njohur në vendin tonë.


Në pjesën tjetër të atyre që mund të nisin procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pronave për shkak të origjinës së tyre të dyshimtë, janë persona të hetuar nga organet e drejtësisë për trafikim dhe shfrytëzim femrash për qëllime prostitucioni.


Në këtë kategori, bëjnë pjesë edhe të akuzuar apo të dënuar të ndryshëm ndaj të cilëve ka pasur trafikim të miturish dhe shfrytëzim të tyre për qëllime kriminale.


Sipas burimeve të policisë, në këtë kategori bëjnë pjesë afërsisht 40 emra, pasuritë e të cilëve po hetohen nga zyra e Hetimit dhe Sekuestrimit të Aseteve Kriminale në drejtorinë e Policisë së Tiranës.


Pjesa tjetër e personave mësohet se janë të hetuar për krime apo vepra të ndryshme penale si dhe të hetuar dhe të dënuar jashtë vendit, për krime të ndryshme. Në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të Policisë së Shtetit, numri i procedimeve në këtë fushë është disa herë më i lartë, ndërsa ekspertë të ndryshëm thonë se procedimet ende janë në nivele të ulëta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›