E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo bashkohet me Ramën e Gjinushin

Kryetarët e tre partive të majta takohen për çështje të bashkëpunimit para zgjedhjeve. 

Aristir Lumezi

Rama, Gjinushi dhe Milo kanë qenë dje bashkë në një tryezë, e cila mungonte që prej prillit të këtij viti, kur ata u takuan për herë të fundit para ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Kodi Zgjedhor dhe koalicionet e përbëra kanë qenë në qendër të takimit të djeshëm. Nga tryeza e opozitës së bashkuar, e cila nuk funksionon që pas zgjedhjeve vendore ka munguar LSI dhe PAD. Entuziast pas takimit, Rama tha se zgjedhjet e 2009 do i fitojnë qytetarët, jo kryetarët. Gjatë takimit të djeshëm, bashkëbiseduesit kanë qenë pro koalicioneve të përbëra, por kundër një korrektimi kombëtar të sistemit proporcional rajonal, gjë që kërkohet nga LSI si kusht për të bashkëpunuar me PS-në. Duke diskutuar rreth çështjeve të veçanta të kodit të ri zgjedhor, mësohet se kryetari socialist, në lidhje me komisionet zgjedhore, ka theksuar se ata duhet të jenë komisione teknike, të përbëra nga njerëz të ligjit që përgjigjen para ligjit, larg ndikimeve politike, duke shmangur në këtë mënyrë dhe përbërjen e tyre politike bashkë me debatin politik për to. Rama dhe Gjinushi pas takimit janë shprehur entuziastë për arritjen e një bashkimi të tillë, ndërsa Milo më i rezervuar, është shprehur për konsumimin e të gjitha hapësirave për arritjen e një bashkëpunimi sa më të gjerë edhe me LSI-në dhe forca të tjera të majta.       
Deklaratat
I kënaqur nga ky takim, Edi Rama tha se: "Bashkimi i ri përtej kufijve të partive është një bashkim përtej kufijve të politikës së vjetër". Duke iu përgjigjur kërkesave të LSI-së për bashkëpunimin me PS-në, Rama tha se "një grupim i cilitdo qoftë dhe sidoqoftë, nuk mund të përcaktojë fatet historike dhe as rrugën e historisë së një vendi apo rrugën e politikë së re, që është politika e njerëzve me njerëzit dhe për njerëzit dhe jo për një grusht zanatçinjsh që quhen rëndom politikanë, po që rëndom i kanë krijuar Shqipërinë probleme dhe plagë". "E kam thënë dhe e përsëris, Ilir Meta është miku im, dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të ngrefosur ndaj Partisë Socialiste, përditë e më thellë në batakun e politikës së vjetër, duke bërë kësisoj një punë jo të mirë për ata njerëz, që e ndjekin pas dhe duke bërë që tek ai Sali Berisha të shohë shpresën e tij të fundit. Por sidoqoftë ne do të fitojmë zgjedhjet e 2009", tha Rama. Ndërsa kreu i PDS-së, Paskal Milo, i cili gjatë ditëve të fundit ka luajtur rolin e katalizatorit për arritjen e një qëndrimi të unifikuar brenda të majtës shprehu vullnetin për të vazhduar në rrugën e bashkëpunimit. "Ne si PDS shprehim edhe një herë vullnetin për ta vazhduar këtë frymë bashkëpunimi pa përjashtuar as edhe partnerët e tjerë të së majtës me të cilët ashtu siç kemi vazhduar takimet deri më sot do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sepse rrugët për t'u marrë vesh ende nuk janë mbyllur në mënyrë që edhe kolegët tanë të së majtës të mund të gjejnë formulën më të mirë të bashkëpunimit për të shkuar bashkë në zgjedhje dhe në këtë kuadër unë do të vazhdoj të kem takime edhe me faktorë të tjerë politikë edhe me LSI edhe me Metën si kryetar i saj duke qenë se jemi në një grup parlamentar", tha Milo. Duke folur për koalicionet, kreu i PSD-së, Gjinushi u shpreh se "koalicionet që parashikon kodi zgjedhor janë të tilla, që çdo parti mat forcat e veta dhe njëkohësisht jep kontributin që elektorati i majtë të jetë fitues".

Meta takon Koçin dhe Cekën

Kreu i LSI-së Ilir Meta ka takuar dje deputetin socialist, Petro Koçi, njëkohësisht dhe drejtues i Lëvizjes për Politikë Institucionale brenda PS-së, por dhe kryetarin e PAD-së, Neritan Ceka. Mësohet se qëllimi i tyre kishte të bënte me forcimin e bashkëpunimit parlamentar të tyre me grupin parlamentar të LSI-së, tani që parlamenti do të hyjë në një fazë të rëndësishme atë të miratimit të ligjeve, që kërkojnë grumbullime maksimale votash. Por nuk përjashtohet dhe një rreshtim i tyre në grupin parlamentar të LSI-së. Petro Koçi ka qenë mjaft aktiv në bashkëpunimin e tij me koalicionin "E majta për Integrim", por dhe fushatës së Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, përmes të cilit u kërkua zhvillimi i një referendumi popullor për ndryshimet kushtetuese. Ndërsa mbetet të saktësohet pozicioni i ardhshëm i Cekës, i cili nuk ka nguruar të shprehet edhe për një rikthim tek PD-ja.

Meta: Bashkimi vetëm përmes korrektimit kombëtar të votës

Kreu i LSI-së Ilir Meta përsëriti edhe dje, gjatë një konference për shtyp se, bashkëpunimi me PS për çështjet zgjedhore do të varet nga qëndrimi i vetë socialistëve. Gjatë një konference për shtyp në selinë e partisë së tij, Meta tha se "për çështjen e Kodit Zgjedhor ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin me të gjitha forcat e tjera politike dhe padyshim edhe me PS-në". "Lidhur me shqetësimin për të mos lejuar që asnjë votë opozitare ndaj Sali Berishës të mos shkojë dëm, ka vetëm një alternativë që është korrektimi kombëtar i votës së shqiptarëve. Vetëm kjo nuk e deformon votën dhe përfaqësimin e shqiptarëve", tha Meta. Sipas tij, edhe vendimi i Konventës Kombëtare të LSI-së shprehet "për krijimin e një koalicioni jo vetëm sfidues, por edhe fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo është një punë, e cila tashmë ka nisur dhe që do të konkretizohet hap pas hapi, por të jeni të sigurt që do të jetë një koalicion fitues". Duke komentuar pozicionin e PDS-së dhe kryetarit të saj Milo për negociata me ramin, Meta tha se "të gjithë janë të mirëpritur për të kontribuar në këtë përpjekje tepër principiale të LSI-së". "Njëkohësisht secili është sovran të vendosë për fatin e tij apo të forcës politike që përfaqëson. Ne vlerësojmë koalicionin e ndërtuar mbi principe, nuk vlerësojmë koalicionin e ndërtuar mbi presje dhjetore apo koalicionin e ndërtuar mbi bishta", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›