Milo takon Ramën: Kuvendi me legjitimitet të cunguar
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi se kuvendi aktual ka dalë nga zgjedhjet me legjitimitet të cunguar. Deklarata u bë pas një takimi që ai zhvilloi sot me kryetarin në detyrë të Partisë Socialiste, Edi Rama, se "e majta do të mobilizohet për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore".
"E majta do të mobilizojë forcat për një maksimalizim të votave që do ta çojnë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme vendore të 2011-s", tha për gazetarët kryetari i PDS-së, pas takimit të sotëm në selinë e PS-së, me kreun socialist.
"U informova nga Rama që nuk bëhet fjalë për bojkot të parlamentit nga PS, por për marrëdhënie të kushtëzuara me parlamentin që ka dalë nga zgjedhjet me legjitimitet të cunguar, me qëllim që fenomenet negative që u vunë re gjatë procesit zgjedhor dhe që sollën këtë rezultat të mos jenë më prezente në politikën shqiptare", tha Milo.
"Marrëdhënie e kushtëzuar do të thotë që PS dhe grupi i saj parlamentar do të ndërmarrin një sërë nismash, me të cilat do të kërkojnë nga PD transparencën e procesit zgjedhor", tha ai.