PS: Kuvendi, bojkot me kushtet
TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë të hënën në parlament vetëm për të bërë betimin dhe për të paraqitur aty kushtet e veta, me plotësimin e të cilave do kushtëzojë edhe raportet e mëtejshme me këtë institucion.
Ky ka qenë vendimi i marrë dje nga kryesia e PSSH-së me shumicë votash, për ti lënë sot radhën grupit parlamentar që të japë fjalën e fundit. Për pasojë, PS-ja ka kushtëzuar marrëdhëniet e saj me institucionin e Kuvendit me qëllim rikuperimin nga deformimi, që pretendohet se i është bërë vullnetit të zgjedhësve nëpërmjet praktikave manipuluese.
Kushtet
Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur dje në mbrëmje për më shumë se 2 orë e 30 minuta ka diskutuar për përcaktimin e qëndrimit të Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentar kundrejt legjislativit të ri. Mbledhja, ashtu siç edhe pritej, është karakterizuar sërish nga debate të forta ku dy palët tashmë të ravijizuara në të kanë mbajtur qëndrime të kundërta për këtë çështje.
Kështu, shumica e kryesisë ka mbrojtur variantin që dhe u miratua në fund, që grupi parlamentar socialist për shkak të manipulimeve zgjedhore dhe tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve, nuk mund të krijojë marrëdhënie normale me Kuvendin e Shqipërisë.
Megjithatë, ata nuk kanë qenë për një bojkotim total të Kuvendit, por për një marrëdhënie, që do të varet nga aftësia e mazhorancës për të reaguar ndaj kërkesave, që socialistët kanë kundrejt një sërë çështjesh delikate.
Kështu, ata do të paraqesin në seancën e së hënës një sërë kushtesh, dhe më kryesorja është krijimi i një komisioni ad-hoc PS-PD për hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit, dhënia e të drejtës Partisë Socialiste për të kërkuar dhe për t'iu vënë në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore, që ajo do të kërkojë për të hetuar, me qëllim final rivlerësimin dhe rinumërimin e votave në një numër të konsiderueshëm kutish në zonat zgjedhore të Beratit, Tiranës dhe Shkodrës.
Por kushtet e tyre nuk do të kenë të bëjnë thjesht dhe vetëm me procesin elektoral, por edhe me garantimin një sistemi të pavarur drejtësie, garantimin e pavarësisë së medias në ushtrimin e misionit të saj informues, sidomos të TVSH-së dhe hallkave të tjera kontrolluese të saj siç është KKRT-ja, rikthimi në punë i të gjithë punonjësve me statusin e nëpunësit civil të pushuar për shkaqe politike.
Pjesë e kushteve të grupit parlamentar do të jetë dhe zbardhja e vrasjes së deputetit socialistë Fatmir Xhindi. Ndërkohë, grupi i kundërshtarëve të kryetarit Rama në kryesi të kryesuar nga deputeti Ben Blushi i kanë mëshuar fortë variantit që PS-ja duhet t'i kërkojë këto të drejta duke qenë pjesë e Kuvendit dhe jo jashtë tij.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje pas mbledhjes së kryesisë se fjala e fundit për qëndrimin ndaj Kuvendit, i takon grupit parlamentar, që pritet të mblidhet sot. "Grupi parlamentar i PS-së do të vendosë sepse është ai grup që ka fjalën e fundit. Sot kryesia e PS-së vendosi t'i përcjellë grupit, propozimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin", - tha Rama.
Kryetari i PS-së saktësoi se në mbledhjen e kryesisë u diskutua në parim për një paketë kushtesh, që sot grupit parlamentar socialist do ti diskutoje në detaje. "Nuk bëhet fjalë për bojkot në kuptimin primitiv, por për një qëndrim të detyruar karshi të gjithë atyre qytetarëve, që dëshiruan të kthenin një fletë të historisë më 28 qershor.
U bëj thirrje të gjithëve partive dhe organizatave që të bëhen pjesë e një domosdoshmërie të pashmangshme, që është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne nuk mund të pranojmë që të shkojmë drejt zgjedhjeve që të jenë po të njëjtat",- tha Rama. Ndërsa deputeti i PS-së, Ben Blushi deklaroi mbrëmë pas mbledhjes se PS-ja nuk do të marrë pjesë në Kuvend për një afat të pacaktuar.