E Diel, 1 Nëntor 2026

Miloshoski: Nuk do të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski ka deklaruar se nuk ka ndryshim të kufijve në Ballkan dhe se harta gjeopolitike e këtij rajoni është e mbyllur. Këto komente ai i bëri gjatë qëndrimit të tij në Strugë me eroparlamentaren suedeze, Ana Ibrisagiç, duke komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiç se zgjidhja më e mirë për Kosovën është ndarja e saj.

“Secili vend në rajon dhe politikanët e cilitdo vend, duhet që problemet e tyre të brendshme, ti zgjidhin në suazat e brendshme e jo ti eksportojnë problemet e tyre të pazgjidhura duke krijuar probleme të tjerëve. Mesazhi im është që harta gjeopolitike e rajonit është mbyllur, ndaj aty nuk ka vend për asnjë ide të madhe, as për Serbi të madhe, as për Shqipëri të madhe e asgjë tjetër. Ide e vetme e madhe që mund të vijë parasysh në Ballkan, këtyre viteve të fundit, është ideja për Europën e Madhe. Kjo duhet të jetë zgjidhja”, theksoi Milloshoski.

Sipas tij, zgjidhje nuk duhet të jenë kufijtë dhe ndarjet e reja, por si zgjidhje duhet të jetë bashkimi apo kufijtë sipas terkut evropian, bëjnë më dije agjencitë e lajmeve. “Kufijtë do të bëhen aq të parëndësishëm me vetë bashkimin e vendeve në rajon dhe në Europë, që do të na japë një dimension të ri për bashkëpunim, mirëkuptim dhe përparim”, theksoi Milloshoski, i cili garon si bartës liste për deputet të VMRO-DPMNE-së.

Ai shtoi se deklaratat e tilla si të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të brendshëm serb nuk janë të mirëpritura dhe se nuk ka mbështetje për ndarje të reja apo zhvendosje të kufijve. Eurodeputetja Ana Ibrisagiç deklaroi se mbështet qëndrimet e shprehura nga ministri i jashtëm i Maqedonisë, sepse sipas saj, BE nuk mbështet zhvendosjen e kufijve në rajonin e Ballkanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›