E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mina me sahat “Snouden”

Harold James/Princeton University 

-Në atë që pasoi krizën financiare globale, liderët botërorë përsërisnin një mantra(fjalë që përfaqëson të vërtetën e që pajton besimin me arsyetimin) qetësuese: Nuk do të kishte një përsëritje të Depresionit të Madh, jo vetëm sepse politika monetare ishte shumë më e mirë(ishte), por gjithashtu sepse bashkëpunimi ndërkombëtar ishte më mirë i institucionalizuar. Dhe megjithatë, një njeri, ish-kontraktori i shërbimeve inteligjente amerikane, Eduard Snouden ka treguar sesa larg nga realiteti qëndron ky deklarim. 

Periudhat e gjata të sforcimit priren që të dobësojnë cilësinë e bashkëpunimin institucional. Dy institucionet që dukeshin më dinamike dhe efektive në vitet 2008-2009 ishin Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe G-20, por kredibiliteti i të dyjave është gërryer përgjatë rrugës së gjatë të krizës. Për shkak se ekonomitë më të mëdha të industrializuara duken të jenë në rrugën e ringritjen-ndonëse jo shumë të fuqishme-askush nuk duket se shqetësohet për faktin se mekanizmat e bashkëpunimit janë të vjetruar dhe të nxjerra jashtë loje. Në fakt ata duhet ta kthejnë vëmendjen në këtë drejtim. Duket se ka ende shumë zjarre financiare në zona të ndryshme dhe bota ka nevojë për një brigadë zjarrfikësish për të t’i shuar ato. Burimet e FMN-së u zgjeruan në vitin 2009 dhe organizata supozohej se ishte reformuar në mënyrë që t’u jepte tregjeve në ngjitje më shumë hapësirë. Por shumë pak përparim është bërë. FMN-ja ishte epiqendra e sistemit ekonomik global të pas-1945-ës. Për pasojë ai luajti një rol qendror në menaxhimin e krizës së borxhit të viteve ’80 dhe në tranzicionit ekonomik post-komunist pas vitit 1989. Por çdo krizë e madhe ndërkombëtare që atëherë ka konsumuar autoritetin e tij. Kriza financiare aziatike në vitet 1997-1998 minoi legjitimitetin e FMN-së në Azi , sa kohë që shumë qeveri në rajon besonin se kriza u shfrytëzua nga SHBA-të dhe institucionet financiare të tyre. 

Recesioni i Madh i post-2007-ës e diskreditoi  edhe më tej FMN-në për tri arsye: Së pari, faza fillestare e krizës u shfaq si një dukuri amerikane. Së dyti, përfshirja e thellë e FMN-së në krizë e zgjatur të euros, u pa si një trajtim preferencial i Europës dhe europianëve. Në veçanti, kërkesa që, për shkak se bota ishte përqendruar në Europë, një europian tjetër(dhe për më tepër sërish francez) duhet të pasonte drejtorin menaxhues të asaj kohe të FMN-së, Dominik Shtraus-Kan, nuk u mirëkuptua nga asnjë prej vendeve që përfaqësojnë tregje të mëdha që janë në rritje. Eventualisht, njësoj si në krizën aziatike, qeveritë europiane dhe Komisioni Europian u rrëzuan bashkë me Fondin dhe nisën ta fajësojnë atë për analizat e veta dhe për shkak se i ngatërroi dhe çorientoi tregjet. 

G-20 ishte fituesi i madh i krizës financiare. Samitet e vjetra (G-7 ose G-8 me Rusinë), sikurse edhe takimet e ministrave të Financës së G-7, nuk kishin më legjitimitet. Kjo sepse këto samite përbëheshin nga vendet që kishin krijuar problemet; ishin dominuar nga SHBA-ja dhe ato vuanin nga pesha e mbiprezantimit të vendeve europiane të mesme. Në ndryshim nga G-7, G-20 përfshiu të gjitha tregjet e mëdha në rritje, dhe premtimi i tij fillestar ishte sigurimi i një rruge për të kontrolluar dhe drejtuar FMN-në. 

Në terma afatshkurtër Samiti i Londrës (i G-20 mbajtur në vitin 2009) zbuti efektet e “infeksionit” financiar që buronte nga Europa jugore, i dha Bankës Botërore burime shtesë në mënyrë që të përballonte problemin e shkëmbimit financiar për tregjet e eksportit dhe u duk sikur i dha FMN-së më shumë legjitimitet forcë veprimi. Më tej akoma Samiti i Londrës e duk se katalizoi stimujt e bashkërenduar fiskalë që synonin rikthimin e besimit. Por vetëm arritjet me natyrë teknike, dy të parët, i qëndruan testit të kohës. Çdo gjë tjetër për të cilën u ra dakord në Samitin e Londrës u shpërbë. Ideja e stimujve fiskalë të bashkërenduar u bë problematike kur u bë e qartë se shumë qeveri europiane nuk do të merrnin borxhe të mëtejshme pa prekur situatën në tregje dhe pa e shtyrë veten në një cikël të paqëndrueshëm të shpenzimeve të huamarrjes. Dhe sidoqoftë, edhe pse arritjet e Samitit të Londrës u provuan të ishin të kufizuara, procesi që ai hapi në vetvete nuk u e humbi plotësisht autoritetin derisa ia behën zbulimet e Snouden nga bota e shërbimeve sekrete. Mund të jetë që liderët dhe stafet e tyre u treguan naivë që besuan se komunikimet mes tyre ishin realisht të sigurta. Por zbulimet e Snouden, se britanikët, si organizues të Samitit të Londrës mendohet se monitoruan  komunikimin e pjesëmarrësve e bën të vështirë të imagjinohet për ndonjë intimitet të vërtetë në samitet e mëparshëm. Dhe, me spiunazhin të orientuar direkt mbi përfaqësuesit e vendeve me ekonomi në ngjitje, hapësira mes vendeve të zhvilluara dhe atyre që po njohin rritjen u bë edhe më e madhe. Liderët botërorë shfaqen një pjesë si injorantë dhe një pjesë si mashtrues në përgjigjen që japin ndaj akuzave të tilla. Ata janë ndoshta shembulli më i mirë për të emfatizuar sesa pak ata dinë për mbikëqyrjen. Është në natyrën e programeve komplekse të mbledhjes së të dhënave që askush nuk mund ta zotërojë panoramën e plotë. Por mungesa e transparencës që rrethon të dhënat e survejimit, do të thotë që kur një informatori nxjerr informacionin, secili  pastaj e përdor atë për të ndërtuar versionin e vet sesi dhe pse kjo politikë është ndjekur. Zbulime të kësaj natyre inkurajojnë teori të tmerrshme konspiracioni. Thelbi i asaj që pasoi Samitin e Londrës ka shkaktuar tashmë ftohjen me procesin e G-20. Çështja “Snouden” ka hedhur në erë çdo iluzion rreth besimit mes liderëve-dhe gjithashtu rreth kompetencës së tyre. Duke i dhënë Snoudenit azil për një vit, Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta ketë bomberin me vete kur të organizojë samitin e këtij viti në Shën Peterburg.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›