E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatoret e Bulqizes po dalin nga greva arrihet akordi mes paleve

Update – Po dalin nga greva minatorët e Bulqizës, duke bërë që greva e urisë e iniciuar prej tyre, të ndërpritet në ditën e 27-të të saj.

Lajmi për daljen e tyre nga greva është dhënë nga burime zyrtare të policisë, sipas të cilave, është mundur që të arrihet marrëveshja mes palëve.

***

Minatorët zhvilluan negociata me policinë, ndërsa kreu i Konfederatës Kol Nikolla, u shpreh se negociatat u bënë për nxjerrjen e minatorëve grevistë dhe zhvendosjen e tyre brenda ambjenteve të ACR-së.

Komisioni i grevës vendosi nxjerrjen e minatorëve nga mjediset e minierës së Bulqizës, ku janë ngujuar prej ditësh.

Ndërkaq, forca të shumta policie gjenden në hyrje të minierës, teksa minatorët nuk e pranuan fillimisht nxjerrjen e tyre nga miniera.

Mësohet gjithashtu se ka mbërritur me helikopter edhe presidentja e kompanisë “ACR”, për të zhvilluar bisedime.

Ndërkaq, vendimi i Gjykatës e ka vlerësuar grevën si të ligjshme.

Mbrëmjen e së premtes ka pasur ndërhyrje të forcave të policisë që kanë larguar me dhunë nga ambientet e ACR minatorët që ndodheshin jashtë galerisë.

Kurse rreth mesnatës, forcat specialet të RENEA-s nëpërmjet shkallëve të emergjencës kanë hyrë brenda galerisë dhe konfirmohet që mëngjesin e së shtunës kanë arritur në nivelin e 5-të që është rreth 520 metra i thellë.

Për të shkuar tek grevistët, u duhet të ecin edhe 1700 m horizontalisht, pastaj duhet të zbresin në një pus tjetër rreth 430 m.

Mësohet se me ndërhyrjen e forcave të rendit minatorët kanë lëvizur nga vendi ku ishin stacionuar.

Minatorët kanë hyrë në ditën e 27-të të grevës së urisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›