Minatorët e Bulqizës, sot protestë në Tiranë

300 minatorë të Bulqizës pritet që ditën e sotme të zhvillojnë protestën e tyre, para zyrave të kryeministrisë. Minatorët kërkojnë plotësimin e disa kërkesave të tyre, ku ndër më kryesoret janë rritja e pagës, ulja e moshës së pensionit, si dhe përmirësim të kushteve të punës.
Nëse kushtet e tyre nuk plotësohen, minatorët e Bulqizës kanë paralajmëruar fillimin e grevës së urisë. Ka qenë kryetari i Konfederatës së Sindikatës, Kol Nikolla ai i cili një ditë më parë ka informuar për platformën e grevës dhe protestën e tyre në Tiranë.
Në lidhje me grevën e urisë, Nikolla ka sqaruar se do të marrin pjesë 30 minatorë në grevë, të cilët do të përzgjidhen në bazë të kushteve shëndetësore. Nikolla informoi se kanë lajmëruar policinë për mbarëvajtjen e protestës.
Po ashtu, ai ka folur edhe për takimin e minatorëve dhe përfaqësuesve të bordit të ACR, duke deklaruar se këta të fundit i kanë pranuar në parim kërkesat e minatorëve.