E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e Eurozonës diskutojnë për Greqinë

17 vendet e Eurozonës do të përpiqen që gjatë kësaj jave të bëjnë të mundur të jetë gjithçka gati për paketën e dytë, që do të shërbejë për të shpëtuar Greqinë.

Javën e kaluar, presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy, thirri për të enjten një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel me kryetarët dhe kryeministrat e shteteve anëtare.

“Në rend të ditës do të jetë stabiliteti i hapësirës së euros në përgjithësi si dhe financimi i ardhshëm i programit të ndihmave për Greqinë”, njoftoi Van Rompuy.

Ai i ka drejtuar një apel ministrave të financave të vendeve të euros, që deri në samit të kenë përpunuar vendimet e tyre. Më herët, kryeministri grek Jorgos Papandreu i bëri thirrje BE-së dhe FMN-së të përshpejtojnë marrjen e mbështetjes financiare ndaj Greqisë. Ai theksoi se atmosfera që dominon nuk i ndihmon ata të dalin nga kriza.

“Nëse nuk do të kemi së shpejti vendimin për paketën e dytë, atëherë do të zhvlerësohet vetë programi", u shpreh kryeminstri grek në një intervistë për gazetën “Financial Times Deutschland”.

Kreu i qeverisë greke e konsideron pozitiv planin e partnerëve të eurozonës për riblerjen e një pjese të borxhit nga vetë Greqia, me kapitale nga Fondi Europian i Stabilitetit Financiar, EFSF, në masën 50 për qind të vlerës së nominuar të obligacioneve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›