Minatorët nën tokë në grevë urie, një histori si në Perëndimin e largët
(E PERDITESUAR)- Ata ndodhen në nivelin e 14-të të minierës. Jo për të punuar, por për të bërë grevë urie. Plot 1400 metra nën tokë e 260 metra poshtë nivelit të detit. Zgjedhja që kanë bërë është e dhimbshme. Pa ajër të pastër dhe në një ambient tepër të lagësht, shumë prej tyre kanë dhimbje të forta koke.
Prej më shumë se 24 orësh, 16 minatorë kanë zgjedhur rrugën ekstreme për të plotësuar kërkesat e tyre. Pasi protestuan në Tiranë dhe askush nuk u mor me to, ata zgjodhën të rikthehen në Bulqizë.
Thellë nën tokë, historia e tyre është njësoj si në filmat me Perëndimin e largët. Sapo kanë hyrë, atyre u kanë ndërprerë dritat. Dy orë kanë qëndruar në errësirë, si në një film horror. Qëllimi i kompanisë ka qenë ti nxjerrë nga greva. Por kjo gjë vetëm sa ka irrituar më shumë minatorët. Ata thonë se do padisin kompaninë ACR, kurse kolegët e tyre që janë mbitokë kanë sulmuar zyrtarët e kompanisë.
Sipas informacioneve të fundit, përplasja ka ardhur pasi minatorët nuk kanë lënë drejtuesit e ACR të hyjnë në ambientet e zyrave të kompanisë.
Mësohet se për të shmangur përshkallëzimin e situatës kanë ndërhyrë forcat e policisë.
Edhe Ministria e Shëndetësisë nuk e ka vënë ujin në zjarr për ta.
Por një gjë të bie në sy: lajmi për grevën e urisë së tyre është pasqyruar në disa prej medieve më të rëndësishme në botë. Edhe pse është një raport i shkruar nga Associated Press, ai ka gjetur vend në media të tilla si Forbes, Businessweek, CBS etj. Reuters po ashtu i ka kushtuar një reportazh grevës.
Një nga përfaqësuesit e sindikatave thotë se ata paguhen nga 38 mijë deri në 40 mijë lekë të reja në muaj me një bonos prej 500 lekësh në ditë për ushqim.
Pas 24 orësh, tek ata kane filluar shqetësimet shëndetësore, por grevistet shprehen te vendosur për ta vazhduar ngujimin deri ne plotësimin e kushteve. Organizatoret e grevës dhe drejtues te sindikatave deklarojnë se ne miniere nuk do te rinise puna pa u plotësuar kërkesat kryesore te minatorëve, rritje page dhe përmirësim te kushteve te punës. Jashtë galerive, ne hyrje te minierës qëndrojnë gjate gjithë kohës minatorët e tjerë. Me ta janë sensibilizuar familjare dhe banore te Bulqizës te cilët qe herët ne mëngjes janë grumbulluar para minierës.