MASH publikon datat për provimet e vjeshtës

Datat 9, 13 dhe 17 shtator do të jenë mundësia e dytë e maturantëve për të ridhënë provimet e maturës. Ky është udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit. Provimet do ti japin ata që kanë mbetur në provimet e detyruara, apo në lëndët me zgjedhje, ata që për shumë arsye nuk e ka dhënë një apo më shumë provime si dhe maturantët neglizhentë që nuk kanë plotësuar formularin A1.
Drejtori i Politikave të Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, kërkon nga maturantët te mos shqetësohen se mund të ketë edhe spostim të preferencave duke siguruar se do të marrin pozicionin e merituar në bazë të pikëve që ata disponojnë.
Për maturantët, kjo është faza kur ata vendosin për degët që duan të vazhdojnë studimet e larta. Në këtë rast, Vejsiu thotë ata nuk duhet të nxitojnë për të bërë përzgjedhjet pasi ka kohë mjaftueshëm për të vendosur preferencat e tyre. Datat e fundit të dorëzimit të këtij formulari A2, është 29 korriku.