E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët përleshen me policinë, tre përfundojnë në spital

Deklarata kontradiktore mes palëve. Policia: Gjendja e tyre shëndetësore si pasojë e lodhjes. Mjekët: janë dhunuar me mjete të forta

BULQIZË Dje është regjistruar përplasja më e fortë fizike mes policisë dhe minatorëve të Bulqizës. Në ditën e 51-të të ndërprerjes së punës në minierë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Drejtorisë Policisë Qarkut Dibër akuzohen se kanë dhunuar rëndë disa minatorë, por vetëm tre prej tyre janë shtruar në spitalin lokal. Ka mjaftuar kjo përplasje e papritur që Konfederata e Sindikatave të Minatorëve të deklarojë se firma e huaj ka vetëm dy ditë afat për plotësimin e kërkesave ekonomike të tyre. Konfederata e sindikatës së minatorëve dhe Komisioni i Grevës vendosën t’i lenë edhe 2 ditë kohë firmës austriake ACR për plotësimin e kërkesave të tyre, ndryshe do të rinisë greva e urisë. Minatorët e Bulqizës caktuan që dita e sotme dhe e nesërme të jenë ditë reflektimi për kompaninë austriake, që kjo e fundit të arrijë një marrëveshje zyrtare.

Në të kundërt, minatorët kërcënojnë se do të përshkallëzojnë protestat që vijojnë prej 3 muajsh dhe rifutjen në grevë urie. Ashtu si edhe 3 ditët e shkuara, minatorët i janë drejtuar që në orët e para të mëngjesit edhe sot ambienteve të ACR-së për të zhvilluar protestën e tyre. Ata mbeten të vendosur në kërkesat e tyre për investim në minierën e Bulqizës, rritje të pagës në nivelin 20-40%, si dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në protestën e minatorëve në hyrje të minierës ka shumë gra dhe fëmijë. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, shprehet se policia po ushtron dhunë mbi protestuesit. Minatorët nuk pranojnë riparime në minierë, pasi investimet në minierë, sipas tyre, duhet të bëhen në kuadër të një marrëveshjeje mes tyre dhe firmës ACR.

Greva

Mëngjesi ka nisur i qetë. Por rreth orës 10.00 gjithçka ka marrë tjetër pamje. Derës kryesore të ACR-së, aty ku ishin mbledhur qindra minatorë i janë afruar dy makina. Njëra sipas minatorëve shoqëronte zakonisht paratë e minatorëve nga Tiranë në zyrat e ACR-së Bulqizë dhe tjetra kishte lëndë drusore që përdoret në galeri. Minatorët janë bërë gardh dhe nuk kanë lëvizur. Zyrtarët lokal të ACR-së kanë njoftuar policinë lokale se “disa persona nuk na lënë të hyjmë në mjediset e punës”. Ka mjaftuar ky njoftim që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që janë dislokuar në qytetin e Bulqizës dhe forca të rendit nga Komisariatet e policisë Dibër, Mat e Bulqizë të nxitojnë drejt portës kryesore të ACR-së. Fillimisht u është kërkuar minatorëve, sidomos sindikalistëve, të lejojnë hyrjen e dy makinave në ambientet e ACR-së. Minatorët, burra e gra, kanë bashkuar radhët me njëri-tjetrin dhe nuk kanë lejuar policinë t’i afrohet portës kryesore. Në këto momente ka nisur përleshja mes palëve. Pamja ishte trishtuese. Burra që përlesheshin si në luftë me policinë dhe gra që ulërinin për t’mos dhunuar minatorët.

Të plagosurit

Pas afro gjysmë ore përplasje fizike, tre prej minatorëve bien në tokë pa ndjenja. Kolegët e tyre i marrin në krah, gjysmë të vdekur dhe i dërgojnë me shpejtësi në spitalin e qytetit. Dashamir Neziri, Rifat Sallaku e Arif Xhiveshi përfundojnë në urgjencën e spitalit. Familjarët mbërrijnë për të parë gjendjen e tyre shëndetësore. Minatorët bashkohen me ta në shenjë solidariteti. Mjekët konfirmojnë se tre minatorët janë dhunuar me mjete të forta, madje ngrenë akuzën se ndaj minatorëve janë përdorur dhe lëndë paralizuese. Neziri dhe Xhiveshi kanë pësuar hematoma dhe kanë humbje kujtese, ndërsa Sallaku dukej më mirë nga ata. Pas afro dy orësh policia është tërhequr. Makina që akuzohej se kishte sjellë paratë për thyerjen e grevës është larguar, ndërsa mjeti me lëndë drusore ka hyrë në minierë nëpërmjet një rruge tjetër. Pas ngjarjes policia e Qarkut Dibër hodhi poshtë lajmin e përhapur se minatorët janë dhunuar. Sipas saj, ata ishin të lodhur dhe mbi ta nuk është ushtruar dhunë fizike. Zyrtarë të policisë pranojnë se tre minatorë janë shtruar në spital, por, sipas saj, situata nuk është ajo që thuhet në media.

PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›