E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët protestë para METE: Përgjegjëse për koncensionet

TIRANË-Minatorët e Bulqizes kanë vijuar sot për të pestën ditë radhazi protestën e tyre për kushtet e punës në minierë dhe ankesat ndaj firmës koncensionare që menaxhon minierën, austriakes, ACR.

Sot protesta e radhës është përqëndruar në Tiranë, pikërisht para Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës, (METE), ku minatorët këmbëngulin për një takim me ministrin.

Kryetari i Konfederatës së Minatorëve, Kolë Nikolli u shpreh për TVNEWS24 se ministria është përgjegjëse për kontratat koncensionare me firma të papërgjegjshmë që braktisin detyrën kryesore, atë të investimit në miniera.

“Do negociojmë sot me ministrin për të zgjidhur situatën. Kjo është Ministria që ka sjellë këtë vorbull, qoftë për licensat e dyshimta, qoftë si ministria përgjegjëse për lidhjet koncensionare që nga viti 2001, vit nga ku më pas u hoqën dhe shtuan shtojca në ligj, gjë që ka shkaktuar dhe rreziqet tona në punë deri në marrjen e jetëve të minatorëve”.

Sipas Nikollit, minatorët kanë nisur një aksion të drejtë që ka mbështetjen e gjithë minatorëve në vend. Ai shprehet se Ministria u ka garantuar se do të takojnë sot zv/ministrin.

Një tjetër minator shprehet se duhet që sot të takojnë patjetër Ministrin pasi në rast të kundërt kjo do të dëshmonte dhe njëherë neglizhencën e qeverisë ndaj statusit të minatorit.
“Nuk kemi ardhur nga Bulqiza të takojmë pastrueset në ministri, por duam autoritetet e larta të ministrisë, duam vetë ministrin, pasi këta janë përgjegjës për atë që kanë gatuar në minierën tonë, qeveria të merrte masa më parë dhe jo të conte minierën deri në këtë gjendje ku është sot”.

Nderkohe kreu i konfederatës theksoi se nga studimet që janë bërë për shkak të joinvestimeve, miniera ka vetëm 15 muaj jetë.
“Nga studimi që është bërë, miniera ka jetë vetëm 15 muaj jetë dhe të shkojë në vetëmbyllje vetëm për shkak të paaftësisë së qeverisë që e ka dhënë me koncesion dhe ndërkohë nga firma nuk veprohet, kjo është për të vënë duart në kokë, është turp”.

Minatorët kërkojnë plotësimin e 5 kushteve, që përfshin rritjen e pagave, heqjen e taksës së dyfishtë, përmirësimin e kushteve në punë, largimin e subjekteve të tjera të palicencuara nga territori i kësaj kompanie, si dhe uljen e moshës së pensionit, përndryshe kërcënojnë se do të hynë në grevë urie.

“Ka 4 vjet që tek ne nuk rritje page dhe indeksim. Kërkojmë në masën 20% rritje të pagës, përmirësim të kushtet e punës, këtu hyjnë vendosja e një mjeku, rinovim të bazës teknologjike në minierë, bazën e veshjeve, sepse asnjë ndërhyrje nuk është bërë në minierën tonë për shumë shumë vite”, u shpreh sot Nikolli.

Për këto shqetësime minatorët takuan dy ditë më parë krerët e kompanisë austriake ACR, por nuk u arrit asnjë marrëveshje mes tyre. Kompania ACR kërkoi që ata ti ktheheshin punës në miniera, ndërsa minatorët kërkuan firmosjen e një kontrate që plotëson kushtet e kërkuara.

Minatorët shprehen se në rast se shteti nuk reagon ndaj kërkesave të tyre, atëhere ata do të hidhen në grevë urie. Sipas tyre, firma pervec neglizhences ne miniere tani ka kaluar ne kercenime direkte ndaj punonjesve. "ACR na dergon vazhdimisht letra duke na bere presion. ACR na thote qe nese nuk rikthehemi ne pune do mbyllet miniera".

Gjatë protestave së tyre, minatorët kanë kërkuar të mos marrin pjesë politikanët, qofshin këta të djathtë apo të majtë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›