E Shtunë, 31 Tetor 2026

Automjetet, kategoritë që përjashtohen nga taksa e re

TIRANE-Një ndër ndryshimet që mendohet të bëhen në taksat mbi automjetet, parashikon kategorizimin e ri të mjeteve motorike, të cilat do të shmangen nga pagesa e detyrimit fiskal.

E perditshmja Gazeta Shqiptare meson se në projektligjin e paraqitur nga Ministria e Financave, në kuadër të paketës fiskale për këtë vit, që pritet të kalojë së shpejti në qeveri, propozohet që, në nenin 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 1, të ndryshohet si më poshtë: Përjashtohen nga pagimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, që gëzojnë status diplomatik, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, duke zbatuar parimin e reciprocitetit, por edhe personat fizikë ose juridikë, të cilët deklarojnë, brenda muajit janar të vitit në vazhdim, se nuk do të qarkullojnë me mjetet në pronësi të tyre gjatë këtij viti kalendarik, ose do të dalin përfundimisht nga qarkullimi dhe dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor targën dhe lejen e qarkullimit të mjetit dhe pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara me vendim të gjykatës, prokurorisë etj., për periudhën në të cilën mjeti ka qenë i bllokuar.

Po kështu, do të mund të qarkullojnë pa taksë autoveturat tip 4+1 vende dhe me cilindratë motorike jo më shumë se 2.500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të invalidëve e të veteranëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, invalidëve të punës, të verbërve, invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që e fitojnë këtë status në bazë të ligjeve përkatëse dhe përdoren vetëm për nevojat e tyre personale dhe jo për veprimtari private. Nga kjo masë lehtësuese përfitojnë edhe të gjitha makinat bujqësore.

Taksa e vjetër për rishitjen e mjeteve nuk solli rezultatet e dëshiruara, thekson relacioni i projektligjit, nënshkruar nga ministri Bode. Nga 2.883 mjete që kanë ndryshuar pronësinë, vetëm 1.146 mjete i janë nënshtruar taksës së mjeteve të përdorura. Ulja e numrit të ndryshimeve të pronësisë çoi në rritjen artificiale të mjeteve që qarkullojnë me akte përdorimi, pra pa ndryshuar pronësinë mbi to. Kjo çon në mosnjohjen e pronarëve të vërtetë të mjeteve rrugore, sipas ministrit.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›